BRUKSEL/LONDËR/ANDIJAN

Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e kanë ftuar qeverinë dhe protestuesit në Uzbekistan që të shmangin gjakderdhjen e mëtejshme dhe ta qetësojnë gjendjen. Në deklarata të ndara, Luksemburgu si kryesues aktual i BE-së, dhe Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Schefer, kanë shfaqur "shqetësim të thellë" lidhur me vrasjet e djeshme në Andijan.
Në anën tjetër, organizata islamike "Hizb ut Tahrir" ka përsëritur sot se nuk është përgjegjëse për trazirat në Andijan, pas akuzave që presidenti i Uzbekistanit, Islam Karimov, i ka drejtuar asaj. Në një prononcim nga Londra, për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i kësaj organizate, Irman Waheed, i hodhi poshtë akuzat e Karimovit. "Karimovi akuzon gjithkënd përveç vetvetes, për situatën e keqësuar në Uzbekistan. Por, tensionet e fundit janë shkaktuar pikërisht nga tirania e tij kundër muslimanëve. Ai duhet të akuzohet për dhunën", tha Waheed.
Ndërkaq, më herët gjatë ditës, presidenti Karimov, në një konferencë me gazetarë në Tashkent, ka mohuar të jetë dhënë urdhër për të shtënë në drejtim të protestuesve. Sipas tij, në trazirat e natës së kaluar në Andijan janë vrarë rreth 30 njerëz, por organizata të të drejtave të njeriut dhe dëshmitarë okularë, besojnë se janë vrarë, të paktën 200 vetë, përfshi edhe gra e fëmijë.
Ndërkohë, sot është protestuar edhe në qytetin e ndarë Karusu, afër kufirit me Kirgizinë. Është njoftuar gjithashtu se mijëra njerëz kanë kaluar në Kirgizi, por shumica prej tyre janë kthyer nga rojet kufitare.