BAGDAD

Asambleja Kombëtare e Irakut ka miratuar sot kabinetin e paraqitur nga kryeministri Ibrahim al-Jaffari. Lista është miratuar me shumicë të thjeshtë parlamentare. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, George Bush, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan, Bashkimi Evropian, pastaj qeveritë e Turqisë dhe Sirisë, janë në mesin e atyre që e kanë mirëpritur formimin e qeverisë irakine. Votimi i sotëm në Bagdad ka pasuar një proces gati 3 muajsh të mosmarrëveshjeve në mes të grupeve politike në Irak, rreth formimit të qeverisë, pas zgjedhjeve të 31 janarit.