PRISHTINË

Qeveria e Kosovës ka pranuar sot draftin e vlerësimit teknik të standardeve nga ana e UNMIK-ut dhe ka vlerësuar se misioni ndërkombëtar i ka dhënë notë pozitive përmbushjes së standardeve deri në këtë fazë. Zëvendës kryeministri i Kosovës, Adem Salihaj tha se ky është një lajm i mirë jo vetëm për qeverinë, por edhe për Kosovën.
"Mendoj se ky vlerësim është në përfundim dhe do të kemi një vlerësim pozitiv, i cili na hap mundësinë që në qershor të kemi vlerësimin politik dhe menjëherë pastaj të fillojë procesi i bisedave edhe për statusin e Kosovës”, tha Salihaj.
Zëdhënësja e UNMIK-ut, Marsia Pool ndërkaq thotë se vlerësimi teknik në Prishtinë do të pasohet me dërgimit e versionit final për vlerësim politik te Këshilli i Sigurimit në Nju Jork.