GK: NUK DO KETË NDARJE TË KOSOVËS DHE AS ZGJIDHJE TË NJËANSHME

Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Çfarëdo zgjidhjeje për statusin e Kosovs do të jetë e mbështetur në perspektivën e saj evropiane dhe do të përjashtojë ndarjen e Ksoovës, kthimin në gjendjen e vitit 1999 dhe bashkimin në ndonjë union. Këto kanë qenë qëndrimet e përmbledhura të drejtorëve politikë të vendeve anëtare të Grupit të Kontaktit, që u takuan në Prishtinë me zyrtarë vendorë e ndërkombëtarë. Nikoqiri i këtij takimi, drejtori politik i Ministrisë së Jashtme gjermane, Michael Scheffer, duke përkujtuar rëndësinë e përmbushjes së standardeve tha:
"Përparimi drejt përcaktimit të statusit do të varet nga përparimi i mëtejshëm në përmbushjen e standardeve, " tha Scheffer për të shtuar se nëse nuk do të ketë përparim të mjaftueshëm, procesi do të vonohet dhe ne do të detyrohemi të përcaktojmë një datë tjetër për shqyrtimin e mëtjeshëm të jetësimit të standardeve.
Ai tha se nga pikëpapmja e Grupit të Kontaktit, zgjidhja e statusit të Kosovës e forcon stabilitetin dhe sigurinë e rajonit:
"Kjo do të thotë se asnjë zgjidhje e njëanshme apo e arritur me forcë, nuk do të jetë e pranueshme dhe kjo do të thotë po ashtu se territori aktual i Kosovës duhet të mbetet i pandryshuar dhe nuk do të ketë kurrfarë ndarjeje," tha Scheffer, duke shpjeguar më pas se sipas pikëpamjeve të Grupit të Kontaktit, kthimi në gjendjen e vitit 1999, ndarja e Kosovës dhe bashkimi i Kosovës me ndonjë vend apo union pas zgjidhjes së statusit është i papranueshëm. Prandaj, tha Scheffer të gjitha opsionet, qofshin ato të Prishtinës apo të Beogradit, mbeten të hapura për t’u diskutuar.
Në anën tjetër edhe zyrtarët më të lartë të institucioneve të Kosovës e kanë vlerësuar takimin e sotëm si më të mirin dhe më të frytshmin ç’prej se ka filluar së funksionuari mekanizmi i njohur si Grupi i Kontaktit Plus. Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova, u shpreh veçanërisht të kënaqur nga konstatimet e Grupit të Kontaktit se nuk do ketë ndarje të Kosovës dhe as bashkim me vende të tjera.
"Mund të them se nga Grupi i Kontaktit kishte ide shumë të rëndësishme për Kosovën, se ajo do të jetë unike dhe nuk do të ketë kurrfarë bashkimi me ndonjë shtet, union apo lidhje të tjera dhe kjo është bazë e mirë për kosovarët që të zhvillojmë proceset e mëtejshme të zhvillimit", tha presidenti Rugova duke e parë të rëndësishme edhe çuarjen përpara, edhe decentralizimin për të gjitha grupet etnike, ndërkohë që sipas presidentit Rugova ekziston një hap i mirë përpara për pavarësinë e Kosovës e cila është sipas tij një zgjidhje moderne.
Edhe kryeparlamentari Daci tha se ky ishte takimi më i mirë dhe më i frytshëm me Grupin e Kontaktin. Zoti Daci tha se Kosova ka përmbushur një pjesë të mirë të standardeve dhe ka shfaqur shpresën se ish-kryeministri Haradinaj që aktualisht ndodhet në Hagë, së shpejti do të jetë në Kosovë për të marrë pjesë në finalizimin e pavarësisë së Kosovës.
Kryeministri Bajram Kosumi ndërkaq tha se shpresonte në përkrahjen ndërkombëtare me rastin e përcaktimit të statusit:
"Unë besoj fuqimisht që bashkësia ndërkombëtare do të marrë vendimin e drejtë në momentin duhur që të na përkrahë dhe të na ndihmojë për ta realizuar vullnetin demokratik".
Edhe opozita ka çmuar qëndrimin e Grupit të Kontaktit për të përjashtuar disa opsione për statusin. Hashim Thaçi, kryetar i Partisë Demokratike, tha se kishin kërkuar qëndrim më të avancuar sa i përket pavarësisë:
"Qëndrimi ynë përputhet edhe me Grupin e Kontaktit se ne nuk kemi pretendime territoriale ndaj vendeve fqinje dhe nuk pretendojmë ndryshim të kufijve me Shqipërinë, por mbi të gjitha kërkuam të ketë qëndrim shumë më të avancuar dhe të kemi implementimin e plotë të vullnetit të popullit për shtet të pavarur sovran dhe demokratik të Kosovës".
Në anën tjetër, Ministri për Kthim dhe Komunitete në qeverinë e Kosovës, Slavisha Petkoviq, tha se kishte insistuar që të sigurohet pjesëmarrja e serbëve në procese:
"Mua më pengon që vazhdimisht përmenden Beogradi e Prishtina dhe jo komunitetet që jetojnë në Kosovë," tha Petkoviq.
Përfaqësuesit e Grupit të Kontaktit, që për herë të parë mbajtën takim në nivel të drejtorëve politikë, janë takuar edhe me përfaqësuesit e pranisë ndërkombëtare në Kosovë.