PODGORICA DHE PRISHTINA- PROTOKOLL PËR KTHIMIN E REFUGJATËVE NË KOSOVË

Zijadin Gashi, Prishtinë

Qeveria e Kosovës dhe ajo e Malit të Zi do të nënshkruajnë një protokoll për kthimin e rreth 18 mijë refugjatëve nga Kosova, të strehuar në Mal të Zi. Këto njoftime i kanë kumtuar sot Ministri i Pushtetit Lokal në qeverinë e Kosovës, Lutfi Haziri dhe ushtruesi i detyrës së shefit të zyrës së UNMIK-ut për kthimin e të zhvendosurve Kilian Klajndshmidt, pas kthimit nga vizita që i bënë Malit të Zi dhe disa viseve me refugjatë nga Kosova të strehuar atje. “Kemi arritur plotësisht ta realizojmë qëllimin për çka kemi shkuar në Mal të Zi”, tha ministri Lutfi Haziri, duke i shprehur falënderime qeverisë së Malit të Zi për “pritjen e ngrohtë dhe miqësore:
“E shfrytëzoj rastin që ta sqaroj edhe një herë publikisht, që kjo qeveri dhe unë si përfaqësues i saj në grupin për standardin tre dhe katër, që siguron kthim të qëndrueshëm të gjithë qytetarëve, si dhe lirinë e qarkullimit, konfirmojmë se nuk ka hezitim në sigurinë e plotë të pronës private, të të drejtës për jetë në vendbanimin e tij, të të drejtës për shkollim, për përkujdesje shëndetësore, sociale dhe të gjitha të drejtat e tjera që i gëzojnë qytetarët e Kosovës në këto kushte”, theksoi Haziri.
Ministri Haziri tha se të zhvendosurit nga Kosova kanë përfituar nga kjo vizitë, ngase sipas tij, ata tani janë më mirë të informuar për realitetin në Kosovë.
“Ne kemi konstatuar se ka manipulime me ndjenjat dhe gjendjen e tyre për motive politike”, tha Haziri, duke shtuar se ende egziston një pasiguri tek të zhvendosurit për shkak të dezinformimit të tyre.
Ndërkaq, Kilian Klajnshmidt tha se prej Malit të Zi, delegacioni i UNMIK-ut dhe i qeverisë është kthyer me mesazhin e fuqishëm që tregon se Kosova është e gatshme për bashkëpunim me fqinjët e saj dhe është e gatshme që t’i pranojë të gjithë qytetarët e Kosovës, që dëshirojnë të kthehen dhe t’i gëzojnë të drejtat e tyre.
"Ne u dhamë një mesazh të fuqishëm edhe të zhvendsurve, të cilëve u treguam se standardet nuk janë një truk politik që ka për qëllim diskutimin rreth statusit, por që standardet u përkasin qytetareve të Kosovës”, tha Klajndshmidt. Sipas tij, krahas protokollit të bashkëpunimit që do të arrihet me Malin e Zi, në të njëjtën mënyrë do të bashkëpunohet edhe me qeverinë e Maqedonisë, për t’i kthyer rreth 2.200 persona të zhvendosur nga Kosova.
Në anën tjetër ministri Haziri tha se kthimi do të jetë individual dhe jo i detyruar.
“Forma e kthimit të detyruar nuk ekziston as në terminologjinë tonë e as në normat ndërkombëtare dhe s’do të ketë kthim as në formë masive e as të dhunshme”, tha ministri Lutfi Haziri, duke u bërë ftesë serbëve të zhvendosur që të mos i dëgjojnë mesazhet e Koshtunicës, por të marrin vendim dhe të kthehen në pronat e tyre.