EIDE:"PETERSEN PO BËN NJË PUNË TË SHKËLQYER"

Kai EIDE, ambasador në NATO


RADIO EVROPA E LIRË
Ka pasur informacione se ju mund të jeni shefi i ardhshëm i UNMIK-ut, derisa po për mediat keni deklaruar se këto pohime nuk janë të sakta. Cila është e vërteta dhe a shihni ndonjë rol tuajin në proçesin që do ta çojë Kosovën drejt statusit përfundimtar?

KAI EIDE
Fjalët që kam parë dje janë plotësisht të pasakta dhe mund t'ju sigurojë se pas përfundimit të mandatit tim si ambasador në NATO do të kthehem në vendin tim për të vazhduar karrierën atje. Për më tepër më duhet të them se posti i kreu të UNMIK-ut nuk është i lirë, dhe aty kemi zotin Jessen Petersen, që po bën një punë të shkëlqyer.
Sa i përket angazhimit tim më duhet të them se i ndjek nga afër zhvillimet në rajon. Kam qenë atje në dhjetor, isha sërish në mars e do vazhdojë ta bëjë një gjë të tillë edhe më tej. Një nga arsyet është se si amabsador i NATO-s është detyra ime të jem i informuar. Nga ana tjetër unë kam qenë i përfshirë në rajon për një kohë të gjatë dhe gjithmonë përpiqem të jem sa më mirë i informuar. Padyshim që do mbetem i përfshirë në rajon, por jo në këtë mënyrë që përmendet.

RADIO EVROPA E LIRË
Ambasador gati një vit më parë përgatitët një raport për zotin Annan lidhur me zhvillimet në Kosovë, pas trazirave të marsit. Njëherësh edhe këtë mars ndodhën një numër ngjarjesh, siç ishte aktakuza dhe dorëzimi vullnetar i kryeministrit Haradinaj. Si i shihni këto zhvillime brenda një viti?

KAI EIDE
Kam besim se raporti që u paraqit verën e kaluar solli ndryshime pozitive. Në Kosovë kemi filluar një proçes që së pari përfshin diskutimin e standardeve kyçe. Njëherësh ka dhe lëvizje drejt disktumit të statusit. Një numër rekomandimesh nga raporti janë zbatuar, përfshi këtu edhe kalimin e më shumë përgjegjësive tek vendorët. Por rezultati kryesor i raportit ishte se ai hapi debatin për një strategji afatgjatë, gjë që nuk ishte diskutuar deri atëherë. Fokusimi në afat të gjatë në çështjen e Kosovës dhe hapja e debatit për statusin ishin arritja kryesore e raportit. Natyrisht nuk dua të marr meritat për ato çfarë kanë ndodhur në terren, ku shefi i UNMIK-ut ka luajtur rolin kryesor.
Sa i përket dorëzimit vullnetar të zotit Haradinaj ishte një zhvillim shumë pozitiv, për më tepër që ndodhi në mënyrë paqësore. Kur shihet se kemi pasur dhe një numër dorëzimesh vullnetare nga Bosnja dhe Serbia, nga një këndvështrim më i gjerë kjo shihet si diçka pozitive. Më duhet të shtoj se këto veprime na lejojnë ne në NATO dhe BE që të lëvizim më shpejt drejt integrimit të rajonit në këto struktura.

RADIO EVROPA E LIRË
Si amabsador i Norvegjisë në NATO jeni i vendosur në Bruksel, çfarë bën të jeni edhe pranë strukturave vendimmarrëse të BE-së. Sipas zyrtarëve evropianë Brukseli nuk ka një qëndrim të përbashkët rreth statusit të Kosovës. Nëse BE del me një qëndrim të tillë së shpejti, sipas jush cili do të jetë ai?

KAI EIDE
Norvegjia nuk është anëtar i BE-së, kështu që nuk jam kaq afër procesit vendimmarrës të Bashkimit Evropian. Por mendoj se tani e rëndësishme është që do kemi vlerësimin e standardeve. Dhe kur të bëhet kjo, atëherë rreth vjeshtës së këtij viti do merret dhe vendimi nëse duhet shkuar drejt hapjes së bisedimeve për statusin apo jo. Natyrisht ky proçes do vendosë se cili do jetë statusi. Kështu që të themi se cili do jetë rezultati, si do duket rajoni, apo të flasim për qëndrimet e qeverive të ndryshme në këtë proces është e parakohshme.

RADIO EVROPA E LIRË
Duke mbetur te qëndrimi i bashkësisë ndërkombëtare, sa larg apo sa afër janë qëndrimet e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara ndaj Kosovës?

KAI EIDE
Sërish mund të flas vetëm për vendin tim, por mendoj se është shumë i mirë fakti se ka filluar debati për të gjitha çështjet, përfshi dhe statusin. Ky debat duhet të vazhdoj dhe e dimë se merr kohë qartësimi i çështjeve të tilla të vështira. Mendoj se proçesi po ecën dhe nuk mendoj se ka ndonjë ngutje për të përcaktuar që tani pozicionin, pasi kjo do vijë me ecjen përpara të proçesit. Por ajo që shpresoj dhe që mund t'ju siguroj është se NATO-ja do mbetet në terren me të njëtën forcë që ka sot, përgjatë gjithë kësaj kohe të vështirë politike që gjendet para nesh në periudhën e ardhshme prej një viti e gjysmë. Shpresoj gjithashtu që dhe BE-ja do ta forcojë praninë e saj në Kosovë e rajon, pasi ajo është manjeti. Është e rëndësishme që të gjithë faktorët të janë në terren që të sigurojnë ecurinë e proçesit të statusit.

RADIO EVROPA E LIRË
E përmendët angazhimin e NATO-s, por a ka NATO-ja plane afatmesme dhe a do jetë në Kosovë dhe pas vendosjes së statusit?

KAI EIDE
Rishikimi i të gjitha misioneve ku NATO-ja është e përfshirë tregon se roli i saj po forcohet. Mund t'ju sigurojë se ka marrëveshje në nivelin më të lartë të Aleancës që të mbetemi me të njëjtën forcë në terren për aq kohë sa është e nevojshme. Nuk planifikojmë të ulim fuqinë tonë në këtë moment, për më tepër që po i afrohemi zgjidhjes së statusit. Njëherësh besoj se është veprimi më i përshtatshëm që NATO-ja të mbetet në Kosovë në afat të gjatë edhe pas vendosjes së statusit. Por edhe Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja duhet të mbeten shumë të përfshira në rajon edhe në të ardhmen. NATO-ja do jetë një instrument në këtë angazhim.

RADIO EVROPA E LIRË
Marsin e kaluar organizatat si Amnesty International kritikuan KFOR-in se kontigjentet e vendeve të ndryshme nuk janë bashkërenduar si duhet. A shihni se janë nxjerrë mësimet dhe a ka pasur ndryshime?

KAI EIDE
Mendoj se të gjitha organziatat ndërkombëtare të përfshira nxorrën mësimet nga ngjarjet e marsit. Edhe ne e shqyrtuam situatën dhe nxorrëm konkluzionet e duhura dhe u përpoqëm të përmirësonim aktivitetin tonë. E njëjta gjë ndodhi dhe me strukturat e tjera të sigurisë, përfshi policinë e UNMIK-ut. Dhe sot mund të them se jemi në një situatë plotësisht të ndryshme nga ajo që ishim një vit më parë.

Intervistoi: Iliriana BAJO