JACKSON THOTË SE KA ARDHUR KOHA TË BISEDOHET PËR STATUSIN E KOSOVËS

Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Britanisë së Madhe, gjenerali Michael Jackson, ka deklaruar sot se statusi aktual i Kosovës nën rezolutën 1244 nuk mund të vazhdojë pafundësisht, ndërsa bisedimet për statusin tashmë duken në horizont. Këto deklarata gjenerali Jackson i ka bërë pas një takimi që ka pasur në Prishtinë me komandantin e përgjithshëm të Trupave të Mbrojtjes së Kosovës, gjeneralin Agim Çeku, ndërkohë që më parë ka takuar pa praninë e gazetarëve edhe kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj, zyrtarë të KFOR-it, UNMIK-ut dhe të ushtrisë e policisë britanike në Kosovë:
"Mendoj se është e qartë se egziston një botëkuptim në bashkësinë ndërkombëtare se statusi aktual i Kosovës nën rezolutën 1244 nuk mund të zgjasë pafundësisht, prandaj ka ardhur koha që të bisedohet për statusin," tha gjenerali Jackson. Tani kreu i ushtrisë së Britanisë së Madhe, gjenerali Jackson në qershor të vitit 1999 pati ardhur në Kosovë në krye të rreth 30 mijë trupave paqëruajtëse të NATO-s, dy ditë pasi me ish-ushtrinë jugosllave në Kumanovë ishte nënshkruar marrëveshja teknike ushtarake, sipas të cilës formacionet e ushtrisë dhe policisë serbe u larguan nga Kosova, sigurinë e së cilës e morën në duar forcat paqëruajtëse KFOR. Ndër sukseset e gjeneralit Jackson llogaritet edhe nënshkrimi i marrëveshjes për demilitarizimin dhe transformimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Trupat e Mbrojtjes së Kosovës po atë vit. Që atëherë, komandanti i parë forcave paqëruajtëse në Kosovë, gjenerali Jackson, tha se ka mbajtur kontakte të rregullta me gjeneralin Agim Çeku:
"Unë gjithmonë befasohem nga përparimi që bën TMK-ja dhe unë jam informuar sot nga gjenerali Çeku për atë se çfarë bën dhe ku ndodhet TMK-ja," tha gjenerali Michael Jackson.
Në anën tjetër, mikpritësi i tij, gjenerali Agim Çeku, tha se TMK-ja kishte bërë hapa të rëndësishëm përpara:
"TMK ka bërë përparim shumë të madh dhe ne morën premtimin e gjeneralit Jackson se edhe më tutje do të vazhdojë përkushtimi i tij personal, por edhe të ushtrisë britanike, se do ta kemi pranë edhe gjeneralin Jackson si Shef i Shtabit të Përgjithshëm , por edhe forcat e armatosura të Britanisë së Madhe, që do të jenë të kyçura me TMK-në në çfarëdo faze të zhvillimit që ato të jenë".
Shefi i ushtrisë britanike, gjenerali Jackson, është paralajmëruar që sot pasdite do të takohet edhe me shefin e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Soren Jessen Petersen, i cili sot kthehet në Prishtinë, pasi javën e kaluar ka raportuar për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.