JERUSALEM

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit Shaul Mofaz tha se trupat izraelite mund të tërhiqen nga disa qytete të Bregut Perëndimor brenda disa ditëve, varësisht nga rezultati i bisedimeve me udhëheqësinë e re palestineze.
Pas takimit me zyrtarin palestinez Mohammed Dahlan mbi hapat për ndërtimin e mirëbesimit, Mofaz i tha radios izraelite se tash është mundësia për të krijuar "një realitet të ri".
Ndërkohë, lideri palestinez Mahmoud Abbas sot do ta vizitojë Moskën, ku me presidentin Vladimir Putin dhe zyrtarët e lartë rusë, do t'i diskutojë mënyrat për ta çuar përpara procesin paqësor izraelito-palestinez.