BUSH BËN BETIMIN SI PRESIDENT I 43-TË I SHBA-VE

George Walker Bush të enjten e bëri betimin për mandatin e dytë 4-vjeçar si president i Shteteve të Bashkuara.
Në ceremonialin e inaugurimit në Uashington, Bushi ia kushtoi pothuaj gjithë fjalimin politikës së jashtme, duke e theksuar synimin e tij për të përhapur demokracinë në mbarë botën.
Bushi e bëri betimin si presidenti i 43-të i Amerikës në mesditë, duke i përsëritur fjalët e thëna nga kryetari i Gjykatës Supreme William Rehnquist.
"Unë, George Walker Bush, solemnisht betohem se me besnikëri do ta kryej detyrën e presidentit të Shteteve të Bashkuara dhe me të gjitha mundësitë e mia, do t'i ruaj dhe do t'i mbroj Shtetet e Bashkuara. Zoti më ndihmoftë", tha presidenti Bush.
Duke qëndruar në platformën para shkallëve në Capitol Hill, ku gjendet selia e Kongresit, Bushi mbajti një fjalim të shkurtër, por të flaktë.
Ai tha se stabiliteti dhe prosperiteti i Amerikës drejtpërdrejt varen nga triumfi i demokracisë në vendet e tjera.
"Mbijetesa e lirisë në vendin tonë në masë të madhe varet nga suksesi i lirisë në vendet e tjera. Shpresa më e mirë për paqe në këtë botë, është përhapja e lirisë në mbarë botën", tha Bush.
Ai tha se Amerika do të marrë një rol më aktiv në përhapjen e demokracisë në botë, ndonëse theksoi se kjo kryesisht nuk do të bëhet me mënyra ushtarake.
"Politika e Shteteve të Bashkuara është që të synojë dhe të mbështesë rritjen e lëvizjeve dhe institucioneve demokratike te çdo popull dhe çdo kulturë, me qëllimin përfundimtar që t'i jepet fund tiranisë në këtë botë. Kjo nuk është detyrë e armëve, ndonëse po e deshi nevoja, veten dhe miqtë tanë do t'i mbrojmë edhe me armë ", vazhdoi Bush.
Fjalimi i Bushit, në të cilin nuk u ofruan nisma konkrete politike, u dallua nga tradita, sepse pothuaj i tëri iu kushtua politikës të jashtme.
Në mesazhin personal, i cili përkujtonte fjalimet e ish presidentit Ronald Reagan dhe paraardhësve të tij gjatë Luftës së Ftohtë, Bushi tha se Amerika qëndron pranë disidentëve dhe i mbron shoqëritë e shtypura në mbarë botën.
"Reformatorë demokratë që përballeni me represalie, burgim apo egzil, duhet ta dini se Amerika ju sheh se çfarë jeni. Jeni liderë të ardhshëm të vendit tuaj të lirë", tha presidenti amerikan.
Bushi tha se ai ishte i bindur se të gjithë njerëzit te të gjithë popujt, kanë nevojë të natyrshme për të synuar lirinë. Por ai gjithashtu i siguroi të pranishmit e huaj, se Amerika nuk do t'ua imponojë sistemin e saj atyre, të cilët i ndjekin traditat e ndryshme.
"Kur flet shpirti i popullit, institucionet që ngrihen mund të pasqyrojnë zakone dhe tradita shumë më të ndryshme nga tonat. Amerika nuk do t'ua imponojë të tjerëve stilin e saj të qeverisjes. Qëllimi ynë është t'u ndihmojmë tjerëve që me zërin e tyre ta gjejnë lirinë e tyre", tha presidenti amerikan.
Bushi i bëri me dije edhe vështirësitë që i përjetuan amerikanët gjatë administratës së tij të parë, si sulmet terroriste të 11 shtatorit dhe angazhimet ushtarake në Afganistan dhe në Irak. Por ai u bëri thirrje amerikanëve të vazhdojnë të sakrifikojnë dhe punojnë për një botë më të mirë.