ZYRTARJA E BE-SË DËSHIRON RIPËRTRITJEN E LIDHJEVE ME AMERIKËN

Washington Times

Bashkëpunimi amerikano – evropian në krizën politike në Ukrainë dhe në përpjekjet për ndihma në rajonin e Oqeanit Indian të goditur nga cunami, tregon se të dy palët janë të gatshme ti kapërcejnë dallimet e thella që e shënuan mandatin e parë të presidentit amerikan George Bush, është shprehur zyrtarja e lartë e BE-së. Komisionarja për marrëdhënie të jashtme e BE-së, Benita Ferrero-Waldner, tha dje në fillim të vizitës së saj në Uashington se vendimi i zotit Bush që gjatë muajit të ardhshëm ta vizitoj Brukselin është një simbol i fuqishëm se të dy palët synojnë zbutjen e mospajtimeve. Me këtë rast, ajo u shpreh se "nga ana jonë do të bëjmë çdo gjë të mundur që vizita të jetë e suksesshme". Zonja Ferrero-Waldner është personi i parë nga Komisioni Evropian që e viziton Uashingtonin, prej zgjedhjeve presidenciale amerikane të nëntorit. Dje ajo u takua me zëvendës sekretarin amerikan të mbrojtjes, Paul Wolfowitz, me sekretarin amerikan të shtetit, Colin Powell, me pasardhësen e tij në këtë post, Condoleezza Rice e me zyrtarë të tjerë të lartë. Lufta e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Irak shkaktoi ndarje në Evropë...Fuqitë në BE, Franca dhe Gjermania ishin kundërshtarë të fortë të kësaj lufte. Kundërshtimi këmbëngulës i presidentit Bush ndaj marrëveshjes balistiko-raketore me Rusinë, ndaj Gjyqit ndërkombëtar penal dhe ndaj Protokolit të Kjotos për nxehtësinë globale poashtu u tregua se nuk ka mbështetje në Evropë. Krahasuar me komisionarin e mëparshëm për marrëdhënie të jashtme të BE-së, Chris Patten, që ishte një kundërshtar i ashpër i luftës në Irak, dukej se zonja Ferrero-Waldner kishte një qëndrim më të butë. Ajo u shpreh se "duhet ta mbyllim kaptinën e mospajtimeve të kaluara, pasi tash të gjithë e kemi një qëllim – një Irak stabil dhe prosperues". Në muajin nëntor Komisioni Evropian miratoi një ndihmë prej 41 milionë dollarësh për zyrtarët e zgjedhjeve në Irak më 30 janar. Zyrtarët amerikanë dhe evropianë kishin bashkëpunuar për së afërti lidhur me krizën në Ukrainë, duke mbështetur protestat popullore, që çuan në anulimin e rezultateve presidenciale të nëntorit. Poashtu, Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe vendet individuale në Evropë, kanë premtuar më se 2 miliardë dollarë për ti ndihmuar viktimat e cunamit në rajonin e Oqeanit Indian.