E. HOXHAJ: DECENTRALIZIMI NUK MUND TË ZGJIDHË GJITHË PROBLEMET E SERBËVE NË KOSOVË

Enver Hoxhaj, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Hoxhaj, këto ditë shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, është duke i përgatitur bisedimet e tij me kryeministrin serb Vojisllav Koshtunica. Fillimisht si e shihni kontekstin e këtyre bisedimeve?

ENVER HOXHAJ
Mendoj që bisedimet e tilla janë pritur dhe vetëm për shkak të zhvillimeve që ka patur Kosova, zgjedhjeve dhe krijimit të institucioneve të reja janë shtyrë. Prioriteti i Kosovës do të jetë dialogu gjatë këtij viti. Besoj që takimi, i cili do të mbahet gjatë janarit, nuk mund të sjellë ndonjë kthesë, sa mund të sjellë vetëm matje të pulseve të reja mes UNMIK-ut dhe Beogradit zyrtar dhe mund të hetohet nga të dy palët se në çfarë drejtimi do duhet të lëvizë procesi i dialogut në të ardhmen.

RADIO EVROPA E LIRË
Është theksuar në mënyrë të veçantë çështja e decentralizimit dhe zbatimit të disa pilot projekteve në disa komuna të ndryshme të Kosovës. Cili është mendimi juaj, respektivisht edhe i opozitës lidhur me këtë çështje të ndërmarrë nga qeveria e Kosovës dhe administrata e UNMIK-ut?

ENVER HOXHAJ
Mendoj se çështja e decentralizimit është një çështje më komplekse, e cila e ka përcjellë Kosovën gjatë dy viteve të fundit. Decentralizimi nuk është standard për mendimin tim, por është një lloj instrumenti i cili do duhej ta ndihmojë procesin e përmbushjes së standardeve para statusit. Ka dallim shumë të madh mes konceptit dhe përgatitjeve, duke përfshirë edhe hartimin e dokumentit kornizë, i cili është bërë në Prishtinë dhe mes asaj se çfarë mendon Beogradi zyrtar për decentralizimin. Padyshim as ne si parti opozitare, por askush në Kosovë, nuk është kundër një procesi të tillë, meqë definitivisht është e nevojshme që komuna të jetë sa më afër interesave dhe nevojave të qytetarëve të Kosovës. Mirëpo duket se decentralizimi në Kosovë do të ndodhë në parime etnike dhe do të ndodhë para se të zgjidhet statusi përfundimtar i Kosovës, pavarësisht nëse është fjala këtu për projekte të cilat mund të jenë të karakterit pilot, të cilat mund të jenë testues apo mund të jetë fjala për projekte, të cilat do të mund të sjellin një lloj reformimi të pushtetit lokal. Unë mendoj se qeveria aktuale nuk ka vizion se në çfarë drejtimi të lëvizë, nuk ka ndonjë strategji konkrete se çfarë do duhet të ndodhë. Më tepër janë deklarata për shtyp, të cilat, në fund të fundit, nuk tregojnë se cili do të jetë edhe rezultati përfundimtar i një procesi të tillë. Në këtë kontekst mendoj që me çështjen e decentralizimit do duhej të merrej parlamenti i Kosovës, që skena jonë politike të ketë vërtet një konsensus të mirëfilltë.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa po e shtyn, kushtimisht thënë, çështjen e decentralizimit mospjesëmarrja e vazhdueshme e serbëve të Kosovës në institucione dhe presioni i Beogradit ndaj administratës së UNMIK-ut në anën tjetër për një autonomi për serbët në Kosovë?

ENVER HOXHAJ
Beogradi mbi të gjitha, asnjëherë nuk ka qenë i interesuar, që përmes procesit të decentralizimit vërtet t'i zgjidhë problemet me të cilat ballafaqohen serbët në Kosovë. Është evidente që gjendja e komunitetit serb në Kosovë është e mjerueshme, është evidente që përmes një reforme të pushtetit lokal, ata do të mund të integroheshin shumë më tepër në institucionet e Kosovës. Mirëpo unë nuk mendoj se procesi i decentralizimit mund të jetë i vetmi aspekt që do t'i zgjidhë problemet e serbëve lokalë, sepse pa një pjesëmarrje të mirëfilltë të tyre edhe në institucionet qëndrore, nuk do të mund të zgjidhen shumë probleme të cilat kanë të bëjnë qoftë me edukimin, qoftë me aspektet e zhvillimit ekonomik. Pra decentralizimi mund të sigurojë të drejta të caktuara, mirëpo nuk mund t'i zgjidhë të gjitha problemet të cilat do duhej të zgjidheshin.

RADIO EVROPA E LIRË
Bazuar në vlerësimet e analistëve të ndryshëm, kryesisht katër prioritetet e caktuara nga administrata e UNMIK-ut në kuadër të standardeve, përcaktojnë edhe pozitën e pakicës serbe në Kosovë. Në këtë aspekt sa është e gatshme Kosova që këto prioritete t'i përmbushë, në mënyrë që në mesin e këtij viti të jetë e gatshme për diskutimet rreth statusit të saj dhe ku do të jetë këtu roli i opozitës?

ENVER HOXHAJ
Mendoj që thjeshtëzimi i politikës së standardeve dhe vendosja e prioriteteve është një përparësi meqë tani mund të bëhet një punë shumë më e fokusuar dhe në formë konkrete mund të dëshmohet një progres i kënaqshëm. Unë besoj që në mesin e këtij viti bashkësia ndërkombëtare nuk do ta vlerësojë procesin politik të standardeve para statusit në një formë statistike, por më tepër do të shohë se sa ka qenë e përkushtuar Kosova si tërësi dhe shoqëria e saj në një progres të tillë. Mirëpo nuk mendoj që me përmbushjen e standardeve vërtet do të zgjidhet pozita e serbëve në Kosovë. Unë mendoj se është e rëndësishme edhe për opozitën, është e rëndësishme edhe për pozitën, që të mendohet të krijohet një hapësirë e nevojshme institucionale për serbët, ku shumica shqiptare krijon hapësirë të nevojshme për pakicën serbe dhe për pakica të tjera dhe kjo mund të ndodhë vetëm përmes miratimit të një kushtetute, ku do të caktohej aty pozita legale, politike e serbëve, do të caktohej edhe më tutje procesi i reformimit të decentralizimit, i cili edhe në vendet perëndimore ka zgjatur 15 vjet, do të përcaktohej politika e përdorimit të gjuhëve, me të cilën kuptoj edhe çështjen e edukimit të lartë të serbëve në Kosovë dhe të minoriteteve të tjera. Po ashtu edhe çështja e ruajtjes së identitetit dhe kultivimit të kulturës së tyre. Të gjitha këto mund të zgjidhen vetëm nëse në Kosovë institucionet tona dhe partitë tona politike vendosin ta bëjnë një kontratë qytetare ose civile mes shumicës shqiptare dhe pakicës serbe, siç shtetet e tjera perëndimore kanë zgjidhur relacionet ndëretnike.

Intervistoi Zijadin Gashi