UASHINGTON

Shtëpia e Bardhë ka dënuar vrasjen e guvernatorit të Bagdadit Ali al-Haidari, por ka thënë se zgjedhjet e planifikuara më 30 janar do të mbahen.
Al Haydari u vra në një pusi në automjetin e tij, bashkë me një truproje. Grupi i udhëhequr nga terroristi Abu Musab al Zarqawi ka marrë përgjegjësinë për sulmin.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Scot McClellan tha se qeveria amerikane dënon fuqishëm vrasjen e al Haydarit.
McClellan tha se në bisedën telefonike të presidentit amerikan George Bush dhe kryeministrit Iyad Allawi, nuk është përmendur shtyerja e zgjedhjeve. Por, që nga dje, presidenti dhe ministri i mbrojtjes i Irakut kanë përmendur mundësinë e shtyerjes së zgjedhjeve deri në përmirësimin e sigurisë dhe në bindjen e sunitëve për të marrë pjesë në zgjedhje.
Ndërkohë, nga një sulm vetëvrasës në Bagdad janë vrarë 10 persona dhe 56 janë plagosur. Në incidente të ndara gjatë ditës janë vrarë 5 trupa amerikane.