POLICIA I MERR SERIOZISHT KËRCËNIMET NDAJ PERSONELIT NDËRKOMBËTAR

Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Kërcënimet e fundit drejtuar kundër personelit të Kombeve të Bashkuara dhe pasurisë së tyre në Kosovë janë serioze dhe mund të kenë ndikim edhe në situatën e përgjithshme të sigurisë në Kosovës, thanë sot zyrtarë të policisë, duke komentuar njoftimet e djeshme për kërcënime kundër personelit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

Zyrtarët e policisë thanë se nuk janë të gatshëm të flasin për përmbajtjen apo origjinën e këtyre kërcënimeve. Zëdhënësi i policisë së UNMIK-ut Tomas Lee, tha se këto kërcënime janë vlerësuar si mjaft serioze:

"Ne besojmë se ato kërcënime janë mjaft serioze sa për të na shtyrë të bëjmë deklarata publike dhe për të kërkuar ndihmën e qytetarëve të Kosovës," tha Tomas Lee, për të shtuar se në një rast tjetër këto kërcënime nuk do të bëheshin publike, por meqë janë cilësuar serioze, policia ka vendosur t’i bëjë ato publike.

Për këtë arsye, tha zëdhënësi Lee, Shërbimi Policor i Kosovës, policia e Kombeve të Bashkuara dhe forcat paqeruajtëse KFOR, kanë shtuar masat e sigurisë dhe këto masa do të jenë në fuqi, përderisa të konsiderohet i mundshëm realizimi i atyre kërcënimeve. Mirëpo, zëdhënësi Lee nuk dha detaje se cilat janë masat e sigurisë së brendshme apo të kufizimeve eventuale, si masa parandaluese për personelin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

Këto masa do të vërehen përmes pranisë së shtuar të forcave të rendit në rrugët e Kosovës, tha zëdhënësi i Shërbimit Policor të Kosovës Veton Elshani. Sipas tij, masat nuk do të jenë të kufizuara vetëm në demonstrimin e forcës përmes pranisë së shtuar të forcave të rendit dhe sigurisë, por do të ketë edhe veprime të tjera si përgjigje ndaj këtyre kërcënimeve:

"Kur ne kemi prani të shtuar të personelit siç theksova, atëherë kjo do të thotë se kemi aktivitete të shtuara dhe aktivitetet e përfshijnë të gjitha veprimtaritë, punët që kryejnë pjesëtarët e SHPK, policisë së UNMIK-ut dhe të KFOR-it", tha Elshani.

Zyrtarët e policisë, edhe pse nuk duan të tregojnë origjinën e këtyre kërcënimeve, thonë se ato janë aq serioze sa mund të ndikojnë edhe mbi situatën e përgjithshme të sigurisë:

"Për arsyen se këto janë marrë seriozisht nga ana jonë, kjo do të thotë se nëse këto dalin të vërteta, atëherë normalisht se do të ndikonin në çështjen e sigurisë në Kosovë".

Në anën tjetër zëdhënësi i policisë së UNMIK-ut Tomas Lee, tha se nuk mund të tregonte nëse këto kërcënime janë me origjinë nga jashtë ose brenda Kosovës, por tha se aktualisht situata e përgjithshme e sigurisë është mjaft e qetë.

Udhëheqës institucionesh dhe partish politike të Kosovës ditët e fundit kanë deklaruar se është me rëndësi thelbësore ruajtja e një ambienti të qetë dhe të padhunshëm në Kosovë, në kohën kur po përcaktohet e ardhmja e saj.