DIDA: TERMOCENTRALI KOSOVA C MUND TË NXITË ZHVILLIMIN EKONOMIK

Nadie Ahmeti, Prishtinë

Pas shtatë vjetësh Kosova do të zgjidhë përfundimisht problemin me energji elektrike. Agron Dida, zëvendësministër i energjetikës tha sot se kjo do të ndodhë pas ndërtimit të një termocentrali të ri, të quajtur Kosova C, ndërtimi i të cilit parashihet edhe në strategjinë e zhvillimit energjetik të Kosovës. Sipas kësaj strategjie, zoti Dida thotë se ky projekt, do të fillojë në vitin 2009 dhe do të mbarojë në vitin 2013 me një çmim prej 13 miliard eurosh.

"Qeveria e Kosovës është koshiente që nga buxheti i Kosovës nuk mund të bëhen investime kapitale për kësi projektesh, prandaj ky do të jetë investim privat, i jashtëm, direkt, i cili natyrisht do të krijojë hapësirë për përfitime të mëdha për Kosovën", thotë zoti Dida.

Zoti Dida mendon se interesimi i kompanive të huaja nuk do të mungojë për këtë projekt, duke u nisur nga fakti se rezervat e linjitit janë resursi më i pasur që posedon Kosova. Ai thotë se shfrytëzimi i linjitit me teknologji moderne, do të mundësojë prodhimin e energjisë së mjaftueshme për mjedisin.

"Është taksa e linjitit, e cila jam e bindur se do të përcaktohet e tillë që të përcjellë çmimet e materialeve të tjera si nafta, gazi, në tregun botëror. Pra edhe ne do të shesim atë pasuri me çmim të bazuar në praktikat botërore për fitim maksimal për Kosovën", tha zoti Dida.

Ndërtimi i këtij termocentrali është një investim shumë i rëndësishëm për zhvillimin e energjisë në Kosovë, thotë zotit Dida. Sipas tij Kosova jo vetëm që do të ketë energji të mjaftueshme, por do të jetë në gjendje edhe ta eksportojë atë.

"Siguria e furnizimit është një problem që është shumë akut tani në Evropë dhe natyrisht Kosova e sheh shansin aty se në qoftëse çmimet do të jenë të larta dhe ne do të jemi në gjendje të eksportojmë energji, atëhere ne do të jemi në situatë shumë të favorshme mbas vitit 2013", thotë zoti Dida.

Ekspertë të çështjeve ekonomike vlerësojnë se ndërtimi i termocentralit Kosova C do të ndihmojë edhe në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik. Muhamet Mustafa, drejtor i institutit të hulumtimeve ekonomike RIINVEST pohon se ndërtimi i këtij termocentrali do të rregullojë imazhin e Kosovës si destinacion për investime.

"Ka efekte që i sjellin investitorët e rëndësishëm, firma me renome dhe firma të tjera, të cilat kur shohin se është një firmë e madhe duke punuar në Kosovë, me një zë pozitiv, me një imazh të mirë në tregun ndërkombëtar të investimeve, mund të rritë kredibilitetin e Kosovës për investim", thotë zoti Mustafa.

Përveç kësaj zoti Mustafa përmend dhe faktin se me realizimin e këtij projekti, buxheti i konsoliduar i Kosovës nuk do të jetë më donator për Korporatën Energjetike, por përfitues i tatimeve nga shfrytëzimi i linjitit.

"Do të marri tatime nga shfrytëzimi i burimeve natyrore ose tatime nga afarizmi i kësaj firme që pritet. Do të ketë fitim dhe buxheti i Kosovës do të marrë taksa aty, por edhe komunitetet mund të marrin taksa të veçanta për shfrytëzimin e burimeve natyrore", thotë zoti Mustafa.

Sidoqoftë vetëm për asistencë teknike për këtë projekt, Banka Botërore ka premtuar një donacion prej 8.5 milion dollarësh, që ka të bëjë me ngritjen e aftësive menaxheriale dhe rritjen e kapaciteteve brenda Korporatës Energjetike të Kosovës, por edhe në Ministrinë e Energjetikës.