Perëndimi rrezikon të përfshihet në luftë bërthamore, sepse nuk është duke biseduar mjaftueshëm me Rusinë dhe Kinën, ka thënë këshilltari britanik i Sigurisë Kombëtare, Stephen Lovegrove.
Ai ka shtuar se në ditët e sotme armët e rrezikshme janë shumë më të qasshme.
Përgjatë fjalimit të mbajtur në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, Lovegrove është fokusuar në implikimet e pushtimit rus në Ukrainë – të nisur më 24 shkurt.
Sipas tij, përgjatë dekadave të Luftës së Ftohtë, fuqitë perëndimore e kanë kuptuar më mirë njëra-tjetrën dhe kanë përfituar nga negociatat “që kanë rritur njohuritë për doktrinën sovjetike dhe kapacitetet – si dhe anasjelltas”.
“Kjo gjë na ka rritur besimin se nuk do të bëjmë llogari të gabuara drejt luftës bërthamore”, ka thënë ai.
“Sot nuk kemi një bazë të tillë me ata që mund të na kërcënojnë në të ardhmen – sidomos me Kinën”.
Lufta e Ftohtë ka qenë periudhë e tensioneve gjeopolitike në mes të Shteteve të Bashkuara dhe ish-Bashkimit Sovjetik, si dhe aleatëve të tyre.
Kjo luftë ka nisur pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe ka përfunduar me rënien e ish-Bashkimit Sovjetik më 1991.
Lovegrove ka vazhduar fjalimin duke thënë se rreziku “i një konflikti të pakontrolluar” po rritet për shkak se Rusia po shkel vazhdimisht traktatet, si dhe për shkak të Kinës, e cila po zgjeron arsenalin bërthamor, ndërkohë që tregon "përbuzje" ndaj marrëveshjeve për kontroll të armëve.
Deklarata e tij u bë para zhvillimit të një bisede telefonike mes presidentit amerikan, Joe Biden dhe homologut të tij kinez, Xi Jinping.
Kjo do të jetë biseda e tyre e parë telefonike prej muajit mars.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë për Siguri Kombëtare, John Kirby, u ka thënë gazetarëve se menaxhimi i konkurrencës ekonomike mes dy shteteve do të jetë në fokus të bisedës.