Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të premten se Kosova dhe Shtetet e Bashkuara do ta finalizojnë “së shpejti” një marrëveshje për “dialog strategjik” mes dy vendeve.
Në një shkrim në Facebook pas një takimi në Prishtinë me zëvendëssekretarin e Shtetit për Menaxhim dhe Burime i SHBA-së, Richard R. Verma, Osmani tha se zyrtari amerikan ia konfirmoi asaj se, pas kërkesës së saj nga viti 2021, Kosova dhe SHBA-të do ta finalizojnë së shpejti "dialogun strategjik".
“Kjo është një e arritur e jashtëzakonshme që dëshmon se partneriteti i mirëfilltë, i bazuar në vlera dhe interesa të përbashkëta, gjithmonë sjell rezultate”, tha Osmani.
Ajo shtoi se ekipet e dy vendeve do të takohen “së shpejti për ta finalizuar marrëveshjen për Dialogun Strategjik e cila do të përfshijë fusha shumë të rëndësishme në interes të qytetarëve të Kosovës”.
Osmani nuk dha më shumë hollësi.
Dialogu strategjik mes Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera është nivel i lartë diskutimi për thellimin e partneritetit.
SHBA-ja udhëheq dialog strategjik me një numër vendesh, me qëllim të avancimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme.
Ndër vendet me të cilat SHBA-ja ka dialog strategjik janë: Maqedonia e Veriut, Lituania, Mbretëria e Bashkuar, Rumania, Austria, Polonia, Sllovenia, Moldavia, Greqia, Lihtenshtajni, Katari, Omani, Bahreini, Egjipti, etj.
Se çfarë është dialogu strategjik në të cilin angazhohen SHBA-të, mund të lexoni këtu.
Osmani kishte biseduar për nevojën e dialogut strategjik mes Kosovës dhe SHBA-së edhe në tetor të vitit 2024 me të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof, gjatë vizitës së tij në Kosovë.
“Në takimin me Kasanof, presidentja Osmani diskutoi edhe për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme me interes të ndërsjellë, siç është fusha e mbrojtjes dhe sigurisë”, tha asokohe zyra e Osmanit.
Verma po e viziton Kosovën si pjesë turit që është duke e zhvilluar në Ballkanin Perëndimor, ku të enjten qëndroi në Shqipëri, ndërsa të shtunën do ta përfundojë atë me një ndalesë në Serbi, njoftoi Departamenti amerikan i Shtetit.
Ai do të takohet edhe me komunitetin e biznesit dhe me përfaqësues të mediave gjatë qëndrimit në Kosovë, njoftoi Ambasada amerikane në Prishtinë.
Vizita e tij po zhvillohet dhjetë ditë para se administrata Biden ta përfundojë mandatin dhe presidenti i zgjedhur, Donald Trump të kthehet në Shtëpinë e Bardhë.
Ditë më parë, DASH-i tha në një njoftim se në Kosovë, Verma do të diskutonte për normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja, forcimin e qeverisjes dhe sundimit të ligjit, si dhe nxitjen e rritjes ekonomike dhe sigurisë energjetike në dobi të të gjithë qytetarëve të Kosovës.
Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog, nën ndërmjetësimin e BE-së, për normalizimin e marrëdhënieve që nga viti 2011. Dialogu mbështetet edhe nga SHBA-ja.
Ato arritën Marrëveshjen për normalizim marrëdhëniesh në shkurt të 2023-ës në Bruksel, dhe më u pajtuan për një aneks për zbatimin e saj në Ohër të Maqedonisë së Veriut atë vit.
Megjithatë, asnjëra palë nuk ka bërë hapa për zbatimin e saj dhe SHBA-ja vazhdimisht u ka kërkuar si Kosovës, ashtu edhe Serbisë, ta zbatojnë marrëveshjen.
Sipas njoftimit, Verma gjithashtu do të falënderojë Qeverinë e Kosovës për mbështetjen e fuqishme ndaj Ukrainës dhe ndihmën e dhënë afganëve në nevojë.
Kosova pranoi afro 2.000 afganë pasi talibanët morën pushtetin në vendin e tyre, në verë të vitit 2021.
Atëkohë, zhvendosja e tyre u bë me kërkesë të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara.
Ndërkohë që pjesa më e madhe e tyre është larguar tashmë nga Kosova, Ministria e Brendshme e Kosovës i tha Radios Evropa e Lirë në tetor se “një numër i vogël i tyre” vazhdon të mbetet në Kosovë, por nuk tregoi sa.
Po ashtu, Kosova strehoi edhe gazetarë ukrainas pasi Rusia e nisi pushtimin e paprovokuar të shtetit fqinj në shkurt të vitit 2022, si dhe e ka ndjekur politikën e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian duke vendosur sanksione ndaj Moskës.
Në këtë vizitë, Verma gjithashtu synon të riafirmojë angazhimin e Shteteve të Bashkuara ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre drejt integrimit euroatlantik dhe thellimin e bashkëpunimit rajonal, thuhet në njoftim.