Korrupsioni i nivelit të lartë në Kosovë vazhdon të mbetet sfidë dhe fenomen që po shkatërron demokracinë dhe po pengon zhvillimin ekonomik në vend. Kurse rezultatet e luftimit të këtij fenomeni janë të padukshme, sidomos dënimet për personat e profilit të lartë janë simbolike.
Kështu tha në një konferencë për media, Ruairi O’Connell, ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë .
“Kosova nuk ka sfidë më të madhe sesa luftimin e korrupsionit, sidomos korrupsionit të nivelit të lartë. Ky fenomen e shkatërron demokracinë dhe e pengon zhvillimin ekonomik. Korrupsioni nuk është dukuri vetëm në Kosovë. Kosovarët nuk janë më të korruptuar sesa të tjerët. Kosovarët janë njerëz të ndershëm dhe të sinqertë, por luftimi i korrupsionit është problem global”, tha O’Connell.
Ndryshe, edhe vetë përfaqësues të Bashkimit Evropian, kanë thënë se lufta kundër korrupsionit në Kosovë mbetet prioritet.
Ata kanë rekomanduar Kosovën gjatë javës kundër korrupsionit se duhet të ndërmarrin hapa në luftimin e korrupsionit, si një prej kushteve në rrugën e saj drejt integrimeve evropiane.
Zyrtarët evropianë, kanë thënë se zyrtarët publikë, të cilët kanë aktakuza, duhet të suspendohen nga funksionet e tyre, ndërkaq ata persona që janë të dënuar, duhet të largohen menjëherë nga puna.
E Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, tha për Radion Evropa e Lirë se tha se profili i rasteve të korrupsionit që ndiqen në Kosovë, është profil i ulët dhe rrallë herë i profilit të lartë.
“Bazuar në monitorimin sistematik të Institutit të Kosovës për Drejtësi, rezulton se ende asnjë zyrtar i profilit të lartë nuk është i dënuar me burgim efektiv për vepra penale të korrupsionit. Duke qenë se nuk ka ndjekje të profitit të lartë, dhe ndikimet politike në emërimin e pozitave të larta janë vazhdimisht prezent, atëherë kjo luftë nuk mund të zhvillohet pa pasur njerëz me integritet”.
“Dhe rekomandimet janë se duhet ketë veting apo verifikim të prokurorëve dhe gjyqtarëve aktualë”, tha Musliu.
Sidoqoftë, edhe vetë Ambasadorët e pesë vendeve më të zhvilluara, të njohur si QUINT, kanë thënë se institucionet përgjegjëse në Kosovë duhet të ndërmarrin hapa konkrete në luftimin e korrupsionit, si njëri prej kushteve në rrugën e saj në integrimet evropiane.
Prokurimi publik, është vlerësuar ndër fushat më të korruptuara në Kosovë.