Ndërlidhjet

Zyra e kryeministrit britanik i kërkon falje Mbretëreshës për festat gjatë izolimit


Kryeministri britanik, Boris Johnson.
Kryeministri britanik, Boris Johnson.

Zyra e kryeministrit britanik, Boris Johnson, i ka kërkuar falje Mbretëreshës britanike Elizabeta II, pasi është bërë e ditur se stafi i Qeverisë ka zhvilluar festë në zyrat e kryeministrisë, në periudhën e ceremonisë së funeralit të Princit Filip.

Në atë kohë, grumbullimet në ambiente të brendshme, kanë qenë të ndaluara.

Johnson është duke u përballur me krizën më të rëndë gjatë udhëheqësisë së tij, pasi pothuajse çdo ditë janë duke u publikuar dëshmi të organizimit të festave gjatë zbatimit të masave kufizuese për luftim të pandemisë.

Në atë periudhë, qytetarët nuk kanë mundur që t’iu thonë lamtumirën e fundit familjarëve të vdekur.

Tani Johnson po përballet me kërkesë për të dhënë dorëheqje.

Kundërshtarët besojnë se ai nuk ka aftësi për të udhëhequr shtetin dhe ka mashtruar parlamentin kur ka mohuar se janë shkelur rregulloret për koronavirus.

Fillimisht ka qenë e përditshmja britanike, Daily Telegraph që ka publikuar pamjet e dy festave të mbajtura brenda zyrave të kryeministrisë më 16 prill të vitit 2021, një ditë para ceremonisë së funeralit të Princit Filip.

“Është fatkeqësi që kjo gjë ka ndodhur në kohën e zisë kombëtare dhe Zyra e kryeministrit i kërkon falje Pallatit”, u ka thënë gazetarëve zëdhënësi i Johnsonit.

Sipas tij, Johnson nuk ka qenë pjesë e festës.

Sipas gazetës Telegraph, stafi ka blerë në dyqan një valixhe me pije alkoolike, dhe ka derdhur verën nëpër tepih.

Të nesërmen, Mbretëresha Elizabeta II, ia ka dhënë lamtumirën e fundit Princit Filip, bashkëshortit të saj për 73 vjet, i cili ka vdekur në moshën 99-vjeçare.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG