Ndërlidhjet

ZRRE-ja paralajmëron se tarifat e reja të rrymës pritet të hyjnë në fuqi më 1 maj


Qytetarët protestuan kundër shtrenjtimit të rrymës më 5 prill në Prishtinë
Qytetarët protestuan kundër shtrenjtimit të rrymës më 5 prill në Prishtinë

Zyra e Rregullatorit të Energjisë e Kosovës (ZRRE) ka thënë të hënën se tarifat e reja të rrymës pritet të hyjnë në fuqi më 1 maj, në pritje të marrjes së vendimit për shtrenjtimin e rrymës me 15 për qind.

“Vendimi për rritje do të merret nga mesi i këtij muaji, ndërsa tarifat e reja do nisin të aplikohen nga data 1 maj të këtij viti,” tha Petrit Pepaj nga ZRRE-ja gjatë një takimi me gazetarë.

Rregullatori i energjisë propozoi muajin e kaluar shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike në vend për rreth 15 për qind, duke nxitur reagime dhe protesta.

Bordi i ZRRE-së pritet të marrë vendim për çmimin e rrymës më 11 prill.

Shtrenjtimi i rrymës u kundërshtua nga Presidenca dhe nga qytetarë që protestuan të shtunën në kryeqytet.

Shtrenjtimi i rrymës mund të jetë vetëm fillimi... Shtrenjtimi i rrymës mund të jetë vetëm fillimi...
Ju lutem prisni

Materiali aktualisht nuk është në dispozicion.

0:00 0:02:19 0:00

ZRRE-ja bën shqyrtimin dhe caktimin e përvitshëm të tarifave të rrymës, të cilat shpallen çdo vit më 1 prill dhe vlejnë deri më 31 mars të vitit pasues.

Javë më parë, tri kompanitë e sektorit të energjisë në Kosovë i kërkuan rregullatorit të energjisë rritjen e çmimit të tarifave të rrymës.

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut [KOSTT], Kompania për Distribuim të Energjisë Elektrike në Kosovë [KEDS] dhe Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike [KESCO] kërkuan ngritjen e çmimit të tarifave të rrymës për shkak të importit të energjisë elektrike.

ZRRE-ja ka argumentuar se rritja e tarifave këtë vit është e domosdoshme, për shkak të uljes së prodhimit të energjisë, rritjes së konsumit dhe varësisë së madhe nga importet me çmime të larta.

Kosova nuk mund ta sigurojë energjinë e nevojshme për mbi 1.6 milion banorët e saj vetëm me prodhimin nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK).

Një nga arsyet është vjetërsia me dekada e termocentraleve "Kosova A" dhe "Kosova B".

Prodhim ka edhe përmes burimeve të ripërtërishme, por në sasi më të vogla.

Përfaqësuesit e bizneseve kanë thënë më herët për Radion Evropa e Lirë se rritja eventuale e çmimit të rrymës do të rriste kostot operative të bizneseve. Kjo më pas do të detyronte bizneset që të rrisnin çmimin e produkteve dhe shërbimeve të tyre, duke i bëra ato më pak konkurruese në treg.

Kosova, viteve të fundit, është përballur me rritje të vazhdueshme të çmimeve të produkteve dhe shërbimeve.

Shtrenjtimi ka nisur në kohën e pandemisë COVID-19 në vitin 2020 dhe ka marrë hov pasi Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës, më 2022.

Vitin e kaluar, ZRRE-ja e uli çmimin për konsumatorët komercialë dhe industrialë për 3 për qind.

Por, një vit më herët, më 2023, tarifat u rritën për 15 për qind për të gjitha kategoritë e konsumatorëve.

Aktualisht, për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në orë brenda një muaji, çmimi i rrymës gjatë ditës është 7.79 centë për kilovat, ndërsa për ata që shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë, pjesa mbi këtë u llogaritet me çmim prej 14.45 centësh.

Nga ora 22:00 deri në 7:00 të mëngjesit, çmimi për kilovat është 3.34 centë për ata që shpenzojnë deri në 800 kilovatë dhe 6.81 centë për ata që shpenzojnë më shumë.

Qëndroni me ne

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG