Ndërlidhjet

Çka fshihet pas mashtrimit të Zaevit nga humoristët rusë?


Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev ka reaguar në mënyrë shumë naive, ndërkohë që protokolli i kabinetit qeveritar duket qartë se ka dështuar në realizimin e detyrimeve, thonë njohësit e çështjeve politike duke komentuar mashtrimin e kryeministrit Zaev nga dy humoristët rusë.

Analistët janë të ndarë rreth asaj se pas bisedave të humoristëve rusë fshihen ose jo struktura të shërbimeve ruse.

Këto reagime pasojnë publikimin e disa incizimeve në YouTube, ku dëgjohen bisedat ndërmjet kryeministrit Zoran Zaev dhe gjoja ish-presidentit të Ukrainës, Petro Poroshenko si dhe me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg. Por, në realitet, kryeministri maqedonas ka biseduar me dy humoristët rusë, Vladimir Kuznecov dhe Aleksej Stolarov, të cilët duke u paraqitur me identitete të rreme të figurave të larta politike, për më tepër se një orë kanë biseduar me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, përmes linjës fikse të Qeverisë dhe aplikacionit WhatsApp.

Kryeministri Zaev është arsyetuar se në listën e të mashtruarve nga këta dy humoristë rusë janë edhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ish-sekretari i Jashtëm i Britanisë, Boris Johnson, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, andaj, sipas Zaevit kjo tregon se është “në një shoqëri të mirë”.

Por, Qebir Avziu, ligjërues i Shkencave të Sigurisë në Universitetin e Tetovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se kryeministri Zaev është vënë në një lajthitje nga shërbimet të caktuara ruse, që sipas tij, nuk ia duan të mirën vendit.

Avziu thotë se ky rast tregon se protokolli i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut duket se ka shumë mangësi.

“Edhe pse unë mendoj se thjesht nga ana e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev bëhet fjalë për një lajthitje të madh, përsëri nga ana tjetër jam i mendimit se pas kësaj qëndrojnë shërbimet ruse, të cilat për rrethana të caktuara dëshirojnë ta poshtërojnë zotin Zaev. Kjo është e gjithë filozofia e asaj që fshihet pas këtyre bisedave sipas mendimit tim”, thotë Avziu.

Por, ndryshe mendon ish-diplomati, Dragan Janjatov, i cili ka shërbyer edhe si këshilltar në ambasadën e Maqedonisë së Veriut në Moskë.

Ai thotë se shërbimet ruse kanë metoda më të “rafinuara” kur duan të bëjnë ndërhyrje të tilla.

“Vendi që pretendohet se është i përfshirë (Rusia) ka metoda të tjera më suptile nëse dëshiron të bëjë ndërhyrje të tilla. Megjithatë, më duhet të theksoj se një vend me shumë përvojë në shërbimet e kundërzbulimit dhe shërbimet sekrete, veprimet e këtilla i bën në formë më të rafinuar. Nuk i bën në këtë mënyrë sepse nuk do të lejojë që të prish reputacionin ndërkombëtar në këtë mënyrë”, thotë Janjatov.

Edhe ambasada e Rusisë në Maqedoninë e Veriut, në reagimin e saj për mediat ka theksuar se nuk dëshiron të komentojë këtë ngjarje, duke theksuar se “nuk duan të komentojnë aktivitete të personave fizik, veçanërisht jo shakatë e humoristëve”.

Por, të martën në një konferencë për shtyp, kryeministri i Maqedonisë së Veriut , Zoran Zaev tha se ai ka rënë pre e mashtrimit, të një strukture, siç e quajti ai “mirë organizuar anti-NATO” .

“Ato janë struktura që dalin nga përfitimet dhe mjete të mira për taktikë të diskreditimit media dhe ndikim medial, shpeshherë të drejtuara ndaj personave dhe shteteve me aspirata euroatlantike. Kjo është një nga ato përpjekjet për dëmtim direkt të interesave tona strategjike, që ta përfundojmë procesin tonë për anëtarësim të plotfuqishëm në NATO”, ka deklaruar Zaev.

Ndryshe, audio-incizimet, humoristët rusë i kanë realizuar në gusht të vitit 2018 dhe gjatë muajve janar dhe prill të këtij viti.

Në fokus të bisedave është gjendja e Maqedonisë së Veriut para organizimit të referendumit për ndryshimin e emrit të shtetit, si dhe marrëdhëniet mes dy vendeve fqinje Serbisë dhe Kosovës.

Gjatë bisedave në fokus ka qenë dhe ndikimi i Rusisë në Maqedoninë e Veriut.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG