Ndërlidhjet

Zjarri në Notre-Dame çoi gjithë botën në dhimbje


Zjarri në Notre Dame
Zjarri në Notre Dame

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, u zotua se do ta rindërtojë katedralen mesjetare Notre-Dame, pasi një zjarr i madh shkatërroi pjesërisht simbolin e Parisit.

Zjarrfikësit arritën të shpëtojnë strukturën kryesore të gurit të ndërtesës gotike, të vjetër 850 vjet, përfshirë dy kullat e saj, porse maja dhe çatia iu shembën.

Zjarri u shua plotësisht paraditen e së martës. Shkaku i tij nuk është ende i qartë, por zyrtarët thanë se mund të lidhet me punimet e renovimit.

Prokuroria e Parisit tha se aktualisht është duke e hetuar atë si një aksident.

Gjatë vizitës në vendin e ngjarjes, Macron tha se “më e keqja është shmangur”, pasi është ruajtur struktura kryesore e katedrales.

Ai u zotua se do të nisë një skemë ndërkombëtare për mbledhjen e fondeve për rindërtimin.

"Do ta rindërtojmë këtë katedrale të gjithë së bashku. Kjo është ajo që francezët presin, sepse kjo është ajo që meriton historia jonë", tha Macron.

Zjarri nisi rreth orës 18:30 të hënën dhe shpejt arriti kulmin e katedrales, duke shkatërruar dritaret e qelqit dhe brendësinë e drurit, përpara se t’i rrëzonte majën.

Zjarrfikësit pastaj kaluan orë të tëra për të parandaluar kolapsin e njërës prej kullave ikonë të kambanës.

Ekipet e emergjencës arritën të shpëtonin vepra të vlefshme arti dhe gjëra fetare, që ruheshin brenda katedrales së ndërtuar në shekujt e 12-të dhe 13-të.

Macron tha se vlerëson lart "guximin e jashtëzakonshëm" të 500 zjarrfikësve të përfshirë në operacion.

Video: Katedralja Notre-Dame në flakë

Udhëheqësit botërorë shprehën keqardhje dhe solidaritet me popullin francez.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se populli i saj ndjen me miqtë francezë, ndërsa e përshkroi katedralen si "simbol të Francës dhe të kulturës sonë evropiane".

Kryeministrja britanike, Theresa May, tha se zjarri ishte “i tmerrshëm”.

Donald Tusk, kryetar i Këshillit Evropian, u bëri thirrje të 28 shteteve anëtare të Bashkimit Evropian që ta ndihmojnë Francën të rindërtojë katedralen.

"Është aq e tmerrshme të shihet zjarri masiv në katedralen Notre-Dame", tha presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

“Në një kohë të përçarjeve politike, fetare dhe sektare, zjarri në një kishë katolike, në një katedrale në Francë, arriti të zbehë armiqësinë – qoftë edhe për një moment – dhe t’i bëjë njerëzit bashkë. Të krishterëve, myslimanëve, hindusëve, hebrenjve, ateistëve… në Francë, Indi, Aregjentinë dhe gjetkë, fatkeqësia në Notre-Dame u solli dhimbje personale”, shkroi në një opinion të vetin rrjeti CNN.

Kur zëdhënësi i Notre-Dame tha se “çdo gjë po digjet, asgjë nuk do të mbetet”, kjo u ndje si goditje në shpirtin tonë kolektiv”, shkroi kolumnistja e çështjeve botërore, Frida Ghitis, për CNN-in.

“Qoftë edhe vetëm për një moment, zjarri në Notre-Dame na kujtoi se ne të gjithë e ndajmë këtë botë; se historia njerëzore nënkupton të kaluarën e të gjithëve”, tha ajo.

Hera e fundit që katedralja pësoi dëme të mëdha ishte gjatë Revolucionit Francez. Ajo u mbijetoi dy luftërave botërore kryesisht e padëmtuar.

Katedralen e vizitojnë mbi 13 milionë turistë çdo vit.

Vitin e kaluar, Kisha Katolike në Francë bëri thirrje urgjente për fonde, për ta rinovuar atë.

Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG