Ndërlidhjet

Mijëra evakuohen teksa zjarret kërcënojnë Athinën


Zjarrfikësit duke tentuar të shuajnë zjarret në Gramatiko, afër Athinës më 12 gusht 2024.
Zjarrfikësit duke tentuar të shuajnë zjarret në Gramatiko, afër Athinës më 12 gusht 2024.

Mijëra persona që jetojnë përreth Athinës janë evakuuar të hënën, më 12 gusht, përfshirë edhe nga qyteze historike Maraton, pasi një zjarr i madh i është afruar kryeqytetit grek, pavarësisht përpjekjeve “mbinjerëzore” për ta vënë nën kontroll, thanë zyrtarët.

Autoritetet kanë urdhëruar të paktën edhe pesë komunitete të tjera që të evakuohen dhe dy spital në verilindje të Athinës, pasi paraprakisht kishin urdhëruar evakuimin e banorëve nga tetë fshatra, përfshirë nga Maraton, të dielën.

Kryetari i Maratonës, Stregios Tsirkas, tha se qyteza, nga e cila ka marrë emrin edhe gara e vrapimit në distancë të gjatë, po përballet me “katastrofë biblike”.

Një mur i gjatë flake prej 30 kilometrash, dhe në disa vende deri në 25 metra i lartë, po lëvizë drejt Athinës, sipas transmetuesi publik ERT.

Tetë persona janë hospitalizuar pas telasheve me frymëmarrje dhe autoritetet kanë hapur stadiumin olimpik në veri të Athinës për të strehuar të evakuuarit.

“Forcat e mbrojtjes civile kanë punuar gjatë gjithë natës dhe pavarësisht përpjekjeve mbinjerëzore, zjarri është përhapur me shpejtësi”, tha zëdhënësi i zjarrfikësve, Vassilis Vathrakogiannis.

Shkatërrimet nga zjarri sjellin në kujtesë zjarrin e korrikut të vitit 2018 në Mati, kur vdiqën 104 persona. Për këtë tragjedi, më pas u tha se faji ishte për shkak se urdhrat për evakuim ishin lëshuar me vonesë.

Sezoni i zjarreve gjatë kësaj vere në Greqi ka shkaktuar dhjetëra zjarre në baza ditore, teksa shteti ka regjistruar dimrin më të nxehtë dhe qershorin dhe korrikun më të nxehtë që kur ka nisur të mbledhë të dhëna më 1960.

Temperaturat përreth Athinës pritet të arrijnë në 39 gradë Celsius të hënën, teksa erërat do të fryjnë deri në 50 kilometra në orë.

Më shumë se 670 zjarrfikës me 183 makina dhe 32 avionë janë angazhuar për të shuar zjarret.

Një ditë më herët, ministri i Mbrojtjes Civile, Vassilis Kikilias, tha se shteti është në rrezik të lartë për shkak të temperaturave të larta, erërave të fuqishme dhe thatësirës së madhe.

Shkencëtarët kanë thënë se emetimet e karburanteve fosile po përkeqësojnë gjatësinë, shpeshtësinë dhe intensitetin e valëve të të nxehtët në mbarë botën.

Edhe pjesë të tjera të botës po përballen me zjarre, teksa disa pjesë të Evropës këtë javë do të përballen me temperatura të larta.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG