Dronët ukrainas ia kanë vënë zjarrin një depoje të naftës në rajonin Rostov të Rusisë mëngjesin e së mërkurës, tha guvernatori i rajonin jugor rus, Vasily Golubev.
Depoja ndodhet në afërsi të fshatit Molodezhny në qarkun e Kamenskit, sipas raportimeve në Telegram. Një shpërthim i fuqishëm ndodhi para se depoja të përfshihej nga zjarri.
“Në qarkun Kamenki, si pasojë e një sulmi me dronë, një zjarr shpërtheu në një depo nafte. Nuk ka viktima. Zjarrfikësit po përpiqen ta shuajnë zjarrin. Nuk ka rrezik që zjarri të përhapet deri te ndërtesat e banimit”, tha Golubev në Telegram.
Kanali Baza në Telegram, i cili është i afërt me inteligjencën ruse, tha se copëzat e dy dronëve të rrëzuar e shkaktuan një zjarr në tri cisterna për ruajtjen e naftës në qarkun Kamenski.
Më herët, Golubev tha më herët se katër dronë ukrainas u rrëzuan mbi rajonin e tij.
Ukraina nuk e ka komentuar këtë lajm, i cili nuk mund të konfirmohet në mënyrë të pavarur.
Në një qark tjetër të Rostovit, Proletrask, raportohet se cisternat e naftës janë duke u djegur nga zjarri ende, 10 ditë pasi u goditën nga dronët ukrainas.
Ai tha se nuk kishte viktima në mesin e civilëve, por tregoi se banorët e dy fshatrave në afërsi janë evakuuar me autobusë.
Ndërkohë, ushtria ukrainase tha se e ka rrëzuar një avion rus Su-25 në Kramatorsk, në rajonin lindor të Donjeckut.
"Në drejtim të Kramatorsk, ushtria jonë rrëzoi një avion rus Su-25 që po përpiqej të gjuante në pozicionet e njësive të Forcave të Mbrojtjes. Forcat kundërajrore bënë një goditje precize nga një sistem MANPADS për të shkatërruar aeroplan”, tha ushtria ukrainase.
MANPADS janë armë kundërajrore me peshë të lehtë dhe shumë të lëvizshme.
Në rajonin jugor të Ukrainës, Zaporizhja, një sulm rus me dronë vrau tre persona, dy gra dhe një burrë, tha guvernatori i këtij rajoni, Ivan Fedorov.
“Dy gra të moshës 83 dhe 86 vjeçe dhe një burrë 61-vjeçar vdiqën, tri gra të tjera të moshës 19, 30, 56 vjeçe dhe një burrë 59-vjeçar u plagosën si rezultat i një sulmi rus me dronë”, tha Fedorov.