Një zjarr që shpërtheu pranë një baze ushtarake të stërvitjeve në distriktin Kirovske në gadishullin e Krimesë ka detyruar evakuimin e më shumë se 2.000 njerëzve dhe mbylljen e autostradës aty pranë, tha të mërkurën guvernatori i Krimesë i cili mbështetet nga Rusia, Sergei Aksyonov.
"Është planifikuar të evakuohen përkohësisht banorët e katër vendbanimeve, më shumë se 2.000 njerëz", tha Aksyonov në aplikacionin e mesazheve Telegram.
Ai nuk dha informacione se për çfarë arsyesh u shkaktua zjarri, i cili detyroi gjithashtu mbylljen e pjesshme të autostradës kryesore Tavridy.
Kanalet e Telegramit të Rusisë të lidhura me shërbimet ruse të sigurisë dhe mediat ukrainase raportuan se një depo municioni ishte duke u djegur pas një sulmi ajror ukrainas gjatë natës.
Agjencia e lajmeve Reuters nuk mundi të verifikonte në mënyrë të pavarur raportimet. Nuk kishte asnjë koment të menjëhershëm nga Ukraina.
Megjithatë, Serhiy Bratchuk, zëdhënës i administratës ushtarake të Odesës në Ukrainë postoi dy video të një zjarri në një zonë të pabanuar, dhe shkroi: "Depoja e municionit të armikut në Stari Krim".
Stari Krim është një qytet i vogël historik në rrethinën Kirovske të Krimesë. Rusia aneksoi ilegalisht gadishullin e Krimesë nga Ukraina në vitin 2014.
Videot dhe fotot nga rrjetet sociale shfaqën flakë të mëdha dhe një zjarr me tym në një zonë të pabanuar.
Disa kanale Telegram thanë se deri në orën 07:30 sipas orës lokale, zjarri ishte duke u përhapur përreth tre orë, dhe ende nuk ishte vënë nën kontroll.
Zjarri ndodhi dy ditë pasi një shpërthim dëmtoi urën që lidh Rusinë me gadishullin e Krimesë, që la dy persona të vdekur, për të cilën Moska fajësoi Ukrainën dhe shtyu presidentin rus, Vladimir Putin, të zotohej për hakmarrje.
Brenda natës, Rusia nisi një sulm ajror në portin ukrainas të Odesës për të dytën natë me radhë.
Ushtria e Ukrainës tha gjithashtu se një sulm me dron në Kiev u zmbraps me sukses mëngjesin e së mërkurës.