Reuters
Njëqind e njëzet mijë armenë etnikë të Nagorno-Karabakut do të shkojnë në Armeni, sepse nuk duan të jetojnë si pjesë e Azerbajxhanit dhe i druhen spastrimit etnik, tha lidershipi i këtij rajoni të shkëputur për agjencinë e lajmeve Reuters të dielën.
Çfarë po ndodh dhe çfarë nënkupton kjo?
Armenët e Karabakut, një territor i njohur ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit që në të kaluarën nuk ishte nën kontrollin e Bakusë, u detyruan të shpallin armëpushim më 20 shtator, pas një operacioni të lehtë ushtarak nga ushtria shumë më e madhe e Azerbajxhanit.
“Njerëzit tanë nuk duan të jetojnë si pjesë e Azerbajxhanit. Nëntëdhjetë e nëntë për qind parapëlqejnë t’i braktisin tokat tona historike”, tha David Babayan, këshilltar i Samvel Shahramanyan, presidentit të Republikës së vetëshpallur të Artsakut.
“Fati i popullit tonë të gjorë do të mbetet në histori si një pafytyrësi dhe turp për popullin armen dhe për tërë botën e qytetëruar”, tha Babayan.
Azerbajxhani tha se do ta integrojë këtë rajon dhe se do t’ua garantojë të drejtat banorëve, por armenët thonë se i druhen shtypjes dhe spastrimit etnik. Azerbajxhani e ka mohuar një qëllim të tillë.
Pas rënies së Bashkimit Sovjetik, ajo që njihet si Lufta e Parë e Karabakut shpërtheu (1988-1994) mes armenëve dhe Azerbajxhanit të tyre. Rreth 30.000 njerëz u vranë dhe më shumë se një milion u zhvendosën.
Liderët armenë të Karabakut thanë në një komunikatë për media se të gjithë ata që mbetën të pastrehë nga operacioni i fundit ushtarak i Azerbajxhanit dhe duan të largohen, do të shoqërohen drejt Armenisë nga forcat paqeruajtëse ruse.
Ku do të shkojnë ata?
Nëse 120.000 njerëz shkojnë përmes korridorin Laçin në Armeni, vendi i vogël kaukazian mund të përballet me krizë humanitare.
Kryeministri i Armenisë, Nikol Pashinyan, tha të premten se është gjetur një hapësirë për vendosjen e së paku 40.000 njerëzve.
“Nëse nuk krijohen kushte të duhura që armenët e Nagorno-Karabakut të jetojnë në shtëpitë e tyre dhe nëse nuk ka mekanizma për mbrojtje efektive kundër spastrimit etnik, gjasat janë se armenët e Nagorno-Karabakut do ta shohin mërgimin nga atdheu si rrugë të vetme për ta shpëtuar jetën dhe identitetin”, tha Pashinyan të dielën.
Nuk është e qartë nëse 120.000 njerëzit do të strehohen në Armeni, e cila ka një popullsi prej 2.8 milionë, para dimrit.
Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq tha se ka nisur të regjistrojë njerëz, të cilët po kërkojnë fëmijë të pashoqëruar, apo të cilët e kanë humbur kontaktin me të dashurit e tyre.
Çfarë thotë Azerbajxhani?
Për Azerbajxhanin, largimi i armenëve nga Karabaku është fitore e madhe e cila i jep fund një lufte shumëvjeçare dhe mosmarrëveshjeve rreth këtij rajoni.
Presidenti Ilham Aliyev tha se pushteti i tij e kishte konsideruar vetëm histori idenë për një Karabak të pavarur armen dhe se ky rajon do të shndërrohej në një “parajsë” si pjesë e Azerbajxhanit.
Çfarë do të thotë kjo për rajonin e gjerë?
Një eksod masiv mund ta ndryshojë baraspeshën delikate të pushtetit në rajonin e Kaukazit Jugor, i cili përbëhet nga etni të ndryshme dhe tubacione të naftës dhe gazit, ku Rusia, Shtetet e Bashkuara, Turqi dhe Irani shtyhen për të shtrirë ndikim.
Pashinyan tha se kriza ka treguar se ky vend nuk mund të mbështetet në Rusinë për t’i mbrojtur interesat e veta, megjithatë Moska i është përgjigjur duke thënë se Armenia ka pak miq pos Rusisë.
Shumë armenë e fajësojnë Pashinyanin, i cili e humbi luftën e vitit 2020 kundër Azerbajxhanit për Karabakun, për humbjen e Karabakut. Protestuesit në kryeqytetin Jerevan bënë thirrje për dorëheqjen e tij këtë javë.
Pashinyan tha se forca të paidentifikuara po kërkonin të bënë puç ndaj tij, dhe i ka akuzuar mediat ruse se po bëjnë luftë informacioni kundër tij.
Rusia e ka një bazë ushtarake në Armeni dhe e cilëson veten si garantuesja kryesore e sigurisë në rajon.
Këtë muaj, Armenia e mbajti një ushtrim të përbashkët ushtarak me SHBA-në, e cila e ka kritikuar operacionin ushtarak të Azerbajxhanit. Turqia, anëtare e NATO-s, e mbështet Azerbajxhanin.