Në Kinë janë intensifikuar protestat kundër masave parandaluese të pandemisë së COVID-19.
Zgjerimi i protestave ndodhi pas një zjarri që vrau 10 persona në një bllok apartamentesh në Urumqi.
Mijëra njerëz dolën në rrugët e Shangait për të kujtuar viktimat dhe për të demonstruar kundër kufizimeve. Mediat raportojnë se shumë prej tyre u dëgjuan duke bërë thirrje për dorëheqjen e presidentit Xi Jinping.
Bllokimi i blloqeve të banimit është thënë se ka qenë arsyeja për vdekjet e shkaktuara nga zjarri.
Ndërsa autoritetet kineze mohojnë bllokimi i blloqeve të banimit ishte shkaku, zyrtarët në Urumqi bënë një kërkimfalje të pazakontë të premten dhe u zotuan të "rivendosin rendin" duke hequr gradualisht kufizimet.
Në protestën që u zhvillua në Shangai, qyteti më i madh i Kinës dhe një qendër globale financiare, disa njerëz u panë duke ndezur qirinj dhe duke vendosur lule për viktimat.
Të tjerë u dëgjuan duke bërtitur parulla të tilla si "Xi Jinping, largohu" dhe "Partia Komuniste, largohu".
Disa mbanin gjithashtu pankarta të bardha bosh.
Kërkesa të tilla janë një pamje e pazakontë brenda Kinës, ku çdo kritikë e drejtpërdrejtë ndaj qeverisë dhe presidentit mund të rezultojë në dënime të ashpra.
Një grup protestuesish mbajti fletë të zbrazëta - një akt që është bërë simbol i kundërshtimit kundër censurës kineze - dhe u filmuan duke kënduar këngë në mbështetje të lirisë dhe demokracisë.
Protestat e fundit vijnë pas vendosjes së vazhdueshme të masave kundër shpërndarjes së COVID-19. Kina ka vendosur një politikë ‘zero covid’, kryesisht për shkak të nivelit relativisht të ulët të vaksinimit dhe një përpjekje për të ruajtur të moshuarit.
Kina është vendi i vetëm nga ekonomitë më të mëdha botërore që ende aplikon masa të tilla kufizuese në luftën kundër pandemisë së COVID-19.