Ndërlidhjet

Maqedoni: Zgjerimi i Qeverisë nuk i siguron asaj dy të tretat në Kuvend


Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev dhe disa anëtarë të kabinetit, gjatë një mbledhjeje të Qeverisë
Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev dhe disa anëtarë të kabinetit, gjatë një mbledhjeje të Qeverisë

Njohësit e çështjeve politike në Maqedoni konsiderojnë se zgjerimi i koalicionit qevrisës mundëson komoditet për shumicën palamentare, e cila ishte e brishtë pas largimit të Aleancës për Shqiptarët. Megjithatë, nënvizojnë se numrat janë larg përpjekjeve e të kryeministrit Zoran Zaev për të siguruar një përkrahje më të gjerë parlamentare, për t'i dhënë vizë ndonjë marrëveshjeje eventuale që do të mund të arrihej me Greqinë për zgjidhjen e kontestit të emrit.

“Ky rikonstruim i Qeverisë nuk ka asnjë ‘isharet’ të rikonstruimit, po thjeshtë qëllimi është vetëm të rritet numri i deputetëve që do të mbështesin atë. Zoran Zaev si kryeministër është i vetëdijshëm se nuk mund të sigurojë dy të tretat e votave (në Kuvend). Ai në këto rrethana synon vetëm ta stabilizojë Qeverinë e tij dhe ta bëjë Parlamentin më funksional sepse mazhornaca duket qartë se është e lëkundshme”.

“Pjesëmarrësit e rinj, përkatësisht partitë politike që tani bëhen pjesë e Qeverisë, nuk hyjnë në Qeveri me platformë politike apo kërkesa konkrete politike, por hyjnë në Qeveri që të jenë pjesë e saj dhe të përfitojnë”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Alajdin Demiri ish-diplomat.

Ndërkaq, politikollogu maqedonas Nikolla Dujovski për Radion Evropa e Lirë vlerëson se kryeminstri i Maqedonisë, Zoran Zaev me zgjerimin e koalicionit qeverisës do të sigurojë vetëm komoditet në qeverisje dhe asgjë më shumë.

“Zaevi synon të stabilizojë Qeverinë, përkatësisht shumicën parlamentare me disa deputetë plus, megjithatë më duhet të theksoj se nuk jam i sigurt se ky veprim i tij si kryeministër ndërlidhet me rrugëtimin e vendit drejtë zgjidhjes së kontestit të emrit”.

“Ndoshta do të dukem cinik, por sigurisht se në procesin e zgjidhjes së kontestit të emrit nuk mund të jetë pjesë Amdi Bajrami apo Menduh Thaçi”, thotë Dujovski.

Ndërkaq, Alajdin Demiri ish-diplomat konsideron se krahas sigurimit të stabilitetit të shumicës parlamentare me zgjerimin e paralajmëruar të Qeverisë, kryeministri Zoran Zaev zhvillon bisedime me liderin e opozitës maqedonase, Hristian Mickoski për arritjen e një konsensusi për çështjen e emrit.

“Kontesti i emrit kërkon një konsensus më të gjerë, që realisht ka mundësi të ndodhë, por në nivele të tjera. Nuk është Parlamenti dhe kjo mazhorancë që mund ta sigurojë atë. Mendoj se negociatat me VMRO-DPMNE-në për rirreshtim, sa i përket ndryshimit të emrit kanë filluar dhe ata do të realizohen në një nivel tjetër”, thotë Demiri.

Analistët politikë kanë komentuar edhe reagimet e opinionit në rrjetet sociale, të cilët kanë thënë se vendimi i kryeministrit Zoran Zaev është jomoral për të futur në Qeveri Partinë Demokratike Shqiptare (PDSH) të Menduh Thaçit dhe partinë e komunitetit rom të Amdi Bajramit.

Qytetarët kanë kritikuar këtë vendim, pasi ndaj Menduh Thaçit, Prokuroria Speciale ka inicuar proces gjyqësor për parregullësi zgjedhore, ndërkaq Amdi Bajrami ka qenë në koalicion me VMRO-DPMNE-në dhe shpesh ka kritikuar Zaevin.

Por, analistët thonë se vendimi i Zaevit është pragmatik dhe ka për qëllim që t’i jepet shtytje proceseve reformuese.

“Në këtë moment, shumica palamentare është shumë e ngushtë dhe kryeministri Zoan Zaev nuk ka shumë hapësirë për manovrim. Zgjedhjet në dhjetor të vitit 2016, kur VMRO-DPMNE ishte shumë e fuqishme si parti, kanë lënë pasoja afatgjate”, shprehet Dujovski.

Ndryshe, koalicioni qeverisës, siç ka informuar Zaev, deri në fund të kësaj jave pritet të zgjerohet. Dy partitë politike shqiptare, Lëvizja Besa që drejtohet Afrim Gashi dhe që ka tre deputetë, dy deputetë të PDSH-së, si dhe një deputet i Partisë Rome, do të bëhen pjesë e Qeverisë së Maqedonisë.

Me këtë zgjerim, shumica parlamentare do të ketë 67 ulëse në Parlament, nga 120 sa janë në Kuvendin e Maqedonisë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG