AFP
Kroatët do të zgjedhin më 29 dhjetor presidentin e ri – një post gjerësisht ceremonial – teksa presidenti aktual populist i krahut të majtë, Zoran Millanoviq, po udhëheq sipas sondazheve parazgjedhore.
Në këtë artikull mund të mësoni se cilët janë kandidatët që do të garojnë në zgjedhjet presidenciale në Kroaci:
Zoran Millanoviq
I mençur, por shpesh i parë si me temperament dhe arrogant, MIllanoviq shpreson që të rizgjidhet president pas mandatit të parë pesëvjeçar.
Që kur mori këtë post, presidenti 58-vjeçar ka përdorur një retorikë më populiste dhe shpesh fyese ndaj kundërshtarëve politikë dhe zyrtarëve të Bashkimit Evropian.
Millanoviq, i lindur në Zagreb dhe i diplomuar për drejtësi, ishte në mesin e studentëve më të mirë të gjeneratës së tij. Ai është një nga figurat kryesore politike në Kroaci në pothuajse dy dekada.
Diplomat karriere gjatë luftës për pavarësi të vendit në vitet ’90, Millanoviq më pas shërbeu në misionin e Kroacisë në Bashkimin Evropian dhe NATO në Bruksel.
Ai u fut në politikë më 1999 kur iu bashkua Socialdemokratëve (SDP) – të krahut të majtë – që paraprakisht ishte partia komuniste, dhe mori drejtimin e kësaj partie më 2007.
Ai shërbeu në postin e kryeministrit nga viti 2011 deri më 2016, por pasi SDP-ja u mposht në zgjedhje, Millanoviq dha dorëheqje nga udhëheqja e partisë, u tërhoq nga politika dhe punoi si këshilltar.
Ai iu rikthye politikës më 2019 si kandidat i SDP-së për president.
Më herët gjatë këtij viti, Millanoviq bëri fushatë, por dështoi, që të bëhej kryeministër gjatë zgjedhjeve parlamentare të prillit.
Gjatë fushatës, ai vazhdimisht kritikoi partinë HDZ, duke e akuzuar për korrupsion dhe tha se lideri i kësaj partie, rivali i tij politik, kryeministri Andrej Pllenkoviq, ishte “kërcënim serioz i demokracisë së Kroacisë”.
Dragan Primorac
Mjeku dhe shkencëtari iu fut politikës në fillim të vitit 2000, kur u emërua ministër i Shkencës dhe Arsimit në Qeverinë e udhëhequr nga HDZ-ja dhe iu bashkua kësaj partie më 2007.
Pediatri dhe eksperti i gjenetikës dhe forenzikës, Primorac u shndërrua në një nga pionierët e analizimit të ADN-së në Kroaci dhe ndihmoi në identifikimin e viktimave të periudhës së luftës, mbetjet mortore të të cilëve u gjetën në varreza masive në vitet ’90.
Më 2009, ai humbi zgjedhjet presidenciale, gjë që çoi në përjashtimin e tij nga HDZ-ja.
Pasi për disa vjet qëndroi larg politikës, Primorac nisi fushatën për zgjedhjet presidenciale gjatë këtij viti, me shpresën se do të bëjë një rikthim në politikën kroate.
Edhe pse nuk është anëtar i HDZ-së, kjo parti ka ofruar mbështetjen për kandidaturën e tij për postin e presidentit.
Fushata e Primoracit gjerësisht është përqendruar në sulmet ndaj Millanoviqit, teksa në të njëjtën kohë Primorac po e paraqet veten si person të përkushtuar ndaj vlerave të familjes dhe patriotizmit.
Kritikët kanë thënë se Primorac, 59-vjeçar, nuk ka karizëm politike, duke shtuar se ai ka shërbyer si mjet i HDZ-së për të sulmuar Millanoviqin.
Marija Sellak-Raspudiq
Profesoreshë e filozofisë dhe ligjvënëse e qendrës së djathtë, Marija Sellak-Raspudiq njihet për fjalimet e saj të guximshme dhe elokuente.
Marija Sellak-Raspudiq, 42-vjeçare, ka lindur në Zagreb ku ka diplomuar për filozofi dhe gjuhën kroate më 2007.
Pasi për një periudhë të shkurtër kohore punoi në sektorin e marrëdhënieve me publikun dhe si gazetare televizive, ajo më pas iu bashkua departamentit të filozofisë në Universitetin e Zagrebit.
Sellak-Raspudiq hyri në Parlament si deputete e partisë ultrakonservatore Most (Ura). Ajo u rizgjodh deputete gjatë këtij viti, por garoi si e pavarur.
Ajo ka avokuar për fuqi më të mëdha presidenciale, përfshirë edhe fuqinë e vetos.
“Ne na duhet një presidente proaktive, që do të kishte më shumë fuqi”, tha ajo.
Ivana Kekin
Psikiatrja dhe ish-aktivistja është deputete që nga viti 2021 si anëtare e partisë së gjelbër, të krahut të majtë, Mozemo (Ne mundemi).
Kandidatja me prirje të majta është zotuar se do të “bëjë më të mirë jetën e njerëzve” dhe ka premtuar se do të përmirësojë sektorin e shëndetësisë publike.
Kundërshtare e kamoshte e konservatorëve në pushtet, Kekin u bë aktiviste e njohur dhe mori pjesë në protesta duke kërkuar të drejta për ra dhe komunitetin LGBTQ dhe kërkoi mbrojtjen e hapësirave publike.
Në qershor, Kekin u zgjodh anëtare e Parlamentit Evropian, por më pas u tërhoq nga ky post, duke u mundësuar bashkëpartiakëve të zënë vendin e saj.
Psikiatrja 40-+vjeçare është e martuar me Mile Kekin, muzikantin e bendit kroat të zhanrit puck-rock, Hladno Pivo.