Partitë politike në Maqedoninë e Veriut tani që ndodhen në mesin e fushatës për rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, kanë aktualizuar çështjen e zgjedhjes së kreut të shtetit përmes Parlamentit, pas përfundimit të mandatit të presidentit të ri që do të zgjidhet në rundin e dytë më 8 maj.
Debati është ndezur nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) që është pjesë e Qeverisë aktuale, e cila doli me ofertën drejtuar dy partive maqedonase, që nëse duan votat e kandidatit të saj për president, Bujar Osmani, në rundin e dytë të zgjedhjeve, të pranojnë kërkesën e këtij subjekti që presidenti në të ardhmen të zgjidhet nga Kuvendi.
Por, kjo kërkesë është refuzuar në mënyrë kategorike si nga Partia Social Demokrate (LSDM) e ish-kryeministrit, Dimitar Kovaçevski, ashtu edhe nga VMRO DPMNE-ja e pretendentit për kryeministër të ri, Hristijan Mickovski.
Bazuar në të gjitha ciklet e deritanishme zgjedhore, në rundin e dytë çdoherë kanë kaluar kandidatët e dy partive maqedonase, LSDM dhe VMRO, por votat e partive shqiptare në vazhdimësi kanë përcaktuar fituesin.
Kjo ndodhi edhe në zgjedhjet e fundit presidenciale që u mbajtën më 2019.
Atëbotë, në rundin e parë kandidatja e VMRO DPMNE-së kishte fituara më shumë vota se kandidati i LSDM-së, por në rundin e dytë, kandidati socialdemokrat, që tani është president, Stevo Pandarovski, u zgjodh në krye të shtetit pas mbështetjen që mori nga elektorati shqiptar.
BDI-ja konsideron se në rundit e dytë do të jetë përcaktues në zgjedhjen e presidentit, andej edhe doli me kushtin që votat e Bujar Osmanit do t’i ketë ajo parti që mbështet zgjedhjet e presidentit në Parlament.
Kjo parti që drejtohet nga Ali Ahmeti, beson se në të ardhmen e afërt, presidenti i shtetit do të jetë një shqiptar, njëjtë sikur që tani është kryeministri shqiptar, apo sikur që ishte edhe kryetari i Kuvendit.
“Ne propozojmë zgjedhjen e presidentit në Kuvend me shumicë të Badenterit [më shumicën edhe të votave të deputetëve që nuk janë shumicë]. Ky do të jetë kushti për partitë tjera për koalicion në rrethin e dytë të zgjedhjeve, apo për votat tona nëse kandidati jonë Bujar Osmani nuk kalon në rundin e dytë. Ato [LSDM dhe VMRO DPMNE] nuk pranonin edhe kryeministrin shqiptar, por të dyja e pranuan më pas. Presim që edhe për presidentit të kemi bisedime”, ka deklaruar zëvendëskryeministri nga radhët e BDI-së, Artan Grubi, për televizionin Sitel.
Por, Lidhja Social Demokrate një kërkesë të tillë e ka quajtur “kthim pas në zhvillimin e demokracisë”.
“Proceset nuk duhet të kthehen pas. Përkundrazi, ne duhet të angazhohemi edhe më shumë për demokratizimin e shoqërisë. Presidenti po zgjidhet dhe do të zgjidhet në zgjedhje të drejtpërdrejta në të cilat qytetarët janë ata të cilët vendosin se në kë kanë besim dhe cilin do të zgjedhin president”, deklaroi zëdhënësi i LSDM-së, Darko Kaevski.
Kandidatja aktuale për presidente nga VMRO DPMNE-ja, Gordana Siljanovska-Davkova, tha se kushti i BDI-së i ngjan periudhës së “komunizmit”, kur, sipas saj, partia caktonte kush në cilin post do të zgjidhej.
Ajo tha se legjitimiteti i presidentit duhet të “burojë” nga qytetarët.
“Unë jam kundër. Jam kundër pasi së pari një zgjidhje e tillë më rikthen në komunizëm, kur partia vendoste se kush në cilin vend do të ishte. Qytetarët kanë nevojë që vet të zgjedhin presidentin e shtetit, njëjtë sikur edhe kryetarët e komunave. Nëse presidenti zgjidhet në Kuvend, ne përballemi me rrezikun serioz që i gjithë pushteti të jetë i përqendruar në një vend. Legjitimiteti i presidentit duhet të vijë nga qytetarët dhe kjo është zgjidhja më e mirë për demokracinë”, tha ajo.
Edhe opozita e bashkuar shqiptare kërkon që presidenti të zgjidhet përmes Kuvendit. Ajo gjithashtu ka propozuar që krahas presidentit të zgjidhet edhe një nënpresident, i cili do t’i takonte njëri nga dy komuniteteve më të madhe, shqiptarëve apo maqedonasve, varësisht se kush do të caktohej në krye të shtetit.
Presidenti në Maqedoninë e Veriut ka kompetenca të kufizuara. Ai është komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura, dekreton mandatarin për formimin e Qeverisë, emëron dhe shkarkon me dekret ambasadorët, pranon letra kredencialet dhe letrat e revokimit të përfaqësuesve të huaj diplomatikë, propozon dy gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese si dhe dy anëtarë të Këshillit Gjyqësor, propozon Guvernatorin e Bankës Popullore, cakton disa drejtues në postet e sigurisë, ka të drejtën e faljes në përputhje me dispozitat ligjor si dhe kryen funksione të tjera të përcaktuara me Kushtetutën maqedonase.