Ndërlidhjet

Çfarë sollën zgjedhjet në Ukrainë?


Zgjedhjet në Ukrainë
Zgjedhjet në Ukrainë

Votuesit në Ukrainë folën - sërish - dhe mesazhi i tyre është i zëshëm dhe i qartë: ata duan ndryshime.

Tre muaj pas fitores së Volodymyr Zelenskiyt - dikur komedian - në zgjedhjet presidenciale, partia e tij politike e vazhdoi trendin e njëjtë: ajo shënoi fitore në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që u mbajtën në Ukrainë, më 21 korrik.

Duke u zotuar se do të luftojë korrupsionin, do të rregullojë ekonominë dhe do t’i japë fund konfliktit të separatistëve pro-rusë në lindje të Ukrainës, partia e Zelenskiyt, Shërbyesi i Popullit - e emëruar sipas një serie televizive që i ka rritur famën - duket se do të fitojë 122 vende në listën kombëtare të partive dhe 125 në garat direkte në qarqe, sugjerojnë rezultatet e pjesshme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Mandati historik për reforma

Për rrjedhojë, Shërbyesi i Popullit do të ketë shumicën e Parlamentit të ri.

“Një republikë presidenciale de-facto, pasi i gjithë pushteti i konsoliduar në duar [të Zelenskiyt]”, shkroi në Twitter Balazs Jarabik, studiues në Institutin Carnegie Endowment për Paqe Ndërkombëtare.

Rreth gjysma e Parlamentit ukrainas, apo Verkhovna Rada-s, zgjidhet nga listat partiake. Pjesa tjetër zgjidhet nga 199 gara individuale lokale.

Disa ekspertë kanë menduar se Shërbyesi i Popullit do të kalojë më keq në garat individuale, të cilat shpesh dominohen nga lojtarë lokalë me ndikim, të mbështetur nga biznesmenë të fuqishëm.

Por, kjo parti i fitoi disa nga këto gara dhe pritet të ketë së paku 246 ulëse nga 424 sa ka legjislatura.

Fitorja e bën të qartë se Shërbyesi i Popullit do të ketë kontroll në parlament më shumë seç ka pasur çdo parti tjetër ndonjëherë dhe mandat të fuqishëm për agjendën reformuese.

Kjo nënkupton mandat edhe për prioritete të tjera, që Zelenskiy i ka radhitur si vijon: “fundi i luftës, kthimi i ukrainasve që mbahen robër [në Rusi] dhe luftimi i korrupsionit”.

Për më tepër, Zelenskiy do ta ketë të lehtë ta bëjë zgjedhjen për kryeministër dhe pozitat tjera të kabinetit dhe ato të miratohen.

Aivaras Abromavicius, ish-ministër i Ekonomisë dhe Tregtisë dhe mbështetës i Zelenskiyt, e përshkroi fitoren si “më të mirën ndonjëherë”.

“Fitore për reforma - gati tri të katërtat e votuesve i kanë mbështetur partitë pro-perëndimore, pro reformave”, tha në anën tjetër analisti Timothy Ash, në një shënim për investitorët, menjëherë pas rezultateve të para.

Koalicioni nuk është i nevojshëm

Me fitimin e shumicës, partia e Zelenskiyt nuk do të duhet të formojë koalicion, edhe pse mund të kërkojë një partneritet, në mënyrë që të forcojë edhe më shumë kontrollin.

“Do të duhet të punojmë me fraksione të tjera në parlament, sepse qëllim i yni është të kalojmë disa reforma drastike, disa prej të cilave kërkojnë ndryshime kushtetuese e që mund të kalojnë me vetëm dy të tretat e parlamentit”, tha për Radion Evropa e Lirë Svyatoslav Yurash, aktivist i Euromaidanit, i cili si 23-vjeçar mund të jetë ukrainasi më i ri që fiton ulëse në parlament.

Duke folur në selinë e tij pasi u shpallen rezultatet e para, Zelenskiy e ftoi partinë Holos, të udhëhequr nga ylli i rock-ut, Svyatoslav Vakarchuk, të flasin për formimin e koalicionit.

Sipas rezultateve paraprake, Holos fitoi 6.3% të votave.

Ndryshimi më i madh i legjislaturës në histori

Më shumë se 60% e vendeve në parlamentin e ri ka të ngjarë të mbushen nga politikanët e rinj si Yurash.

Listat e partive të Zelenskiyt dhe Holosit kanë qenë të mbushura me njerëz të rinj, për të siguruar, siç është thënë, njerëz “të pastër politikisht”.

Kateryna Zarembo, nga Qendra Evropa e Re, me seli në Kiev, tha se fitorja e Shërbyesit të Popullit, e kombinuar me rezultatin e Holosit, shënon ndoshta “ndryshimin më të madh” të ligjvënësve në historinë e Parlamentit të Ukrainës.

Partitë tradicionale po veniten, por nuk po zhduken

Votuesit, të zemëruar me partitë tradicionale, e treguan shkallën e pakënaqësisë së tyre.

Partia e Solidaritetit Evropian e ish-presidentit Petro Poroshenko dhe blloku Atdheu i ish-kryeministres Yulia Tymoshenko fituan 8.9%, përkatësisht 7.6% të votave.

Edhe pse disa analistë besojnë se partia e Tymoshenkos mund të punojë me Zelenskiyn, ata thonë se ajo e Poroshenkos duket se është e destinuar të jetë në mesin e opozitës.

“Ai e zgjati jetën e tij politike me një rezultat të mirë krahasuar me atë ku ka qëndruar në sondazhe një muaj më herët. Por, nuk pres asgjë nga ai, përveç rezistencës", tha Jarabik.

Zarembo, në anën tjetër, tha: "Të kesh disa njerëz të shkollës së vjetër [në parlament] është një gjë e mirë".

Ligjvënësit me përvojë e njohin ligjin në një mënyrë që shumë nga të rinjtë nuk e dinë.

Paralajmërimet për ngritjen e partive pro-ruse u frynë

Pavarësisht nga paralajmërimet e disa politikanëve rreth kthimit të partive pro-ruse, vetëm Platforma e Opozitës - Për Jetë fitoi vende në parlament, duke marrë 11.5% të votave.

Blloku i opozitës pro-ruse mori vetëm 3.3% në zgjedhjet e 21 korrikut.

Një shumicë e madhe e votave për të dyja partitë erdhi nga baza e tyre në pjesën lindore të Ukrainës.

Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG