Kryetari i partisë opozitare, Partisë Demokratike, Lulzim Basha kontestoi të martën rezultatin e zgjedhjeve të 25 prillit, duke e quajtur "masakër elektorale" procesin zgjedhor që i dha Partisë Socialiste mandatin e tretë qeverisës në Shqipëri.
Lulzim Basha e bëri këtë deklaratë një javë pas zgjedhjeve, prej të cilave partia e tij ka shënuar rritje, duke marrë 59 vende në kuvendin e ri, krahasuar me 46 që ka pasur në 2017.
“25 prilli është një masakër elektorale, viktima e së cilës nuk është Partia Demokratike dhe deputetët tanë, rezultati ynë flet qartë. Besimi, shpresa që zgjuam dhe bashkuam pavarësisht prej rolit të paprecedent të krimit të organizuar dhe parave të pista të krimit dhe siç tha edhe raporti paraprak i OSBE-ODHIR, shkrirjes së vijave ndarëse mes partitë dhe shtetit, nuk ia doli dot të zvogëlonte apo të ulte përmasat e një bashkimi të shqiptarëve”, u shpreh Basha.
Në zgjedhjet e 25 prillit, Partia Socialiste fitoi 74 mandate, Partia Demokratike ka marrë 59 mandate. ndërsa, Lëvizja Socialiste ka pësuar humbje, ku ka arritur që të marrë vetëm katër mandate nga 19 që ka pasur në zgjedhjet e kaluara, të mbajtura më 2017.
E fundit me numër të përfaqësuesve në kuvend është Partia Social-Demokrate, e cila ka fituar tre mandate.
Basha theksoi se PD-ja është duke mbledhur fakte që do të tregojnë, siç tha ai, manipulimin e votave.
“Kjo betejë do të bëhet në të gjitha frontet dhe mundësitë që ekzistojnë dhe përfundimi do të jetë rrëzimi i regjimit”, u shpreh Basha.
Gjatë ditës së hënë, Basha ka takuar zyrtarët e Partisë Demokratike, si pjesë e procesit të brendshëm për të vlerësuar rezultatet e zgjedhjeve.
Sipas raportimeve në mediat lokale, në takim Basha ka dhënë sinjale që Partia Demokratike e udhëhequr nga ai, nuk do ta pranojë rezultatin zgjedhor dhe do ta kontestojë atë.
Pas deklaratës së Bashës, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar duke thënë se ftesa për bashkëpunim me opozitën mbetet e hapur.
“Humbësit fokusohen te fituesit. Fituesit fokusohen te fitorja.Mandati ynë i tretë nuk do t'i ngjajë dy të parëve në raport me humbësit. Ata le të merren me ne, ne do të merremi me ngjitjen e Shqipërisë në majë. Dora jonë për ta do jetë e shtrirë. Ftesa jonë për ta është e hapur”, shkruan Rama.
Kryeministri Rama u shpreh se lufta politike nuk është prioritet për qeverinë e tij dhe gjithë energjitë e përpjekjet do i fokusojë të kthimi i Shqipërisë në “kampione të Ballkanit”.
“Shqipëria meriton shumëfishimin e përpjekjeve tona dhe të gjitha energjitë ne do t'i harxhojmë vetëm për triumfin e këtij vendi, që e duam kampion të Ballkanit në turizëm, energji, bujqësi, inovacion e shërbime digjitale për qytetarët. Lufta e vjetër politike s'është më puna jonë”, tha Rama.
Ndërkohë, bashkësia ndërkombëtare ka përshëndetur mbajtjen e zgjedhjeve pa incidente serioze në Shqipëri, përkundër tensionimeve paraelektorale dhe ka ftuar liderët të përmbahen nga retorika nxitëse.
Facebook Forum