Ndërlidhjet

Zgjedhjet në Greqi: Konservatorët rikthehen në pushtet


Lideri i partisë konservatore, “Demokracia e Re”, Kyriakos Mitsotakis mban fjalim para mbështetësve të tij, pas fitores në zgjedhje.
Lideri i partisë konservatore, “Demokracia e Re”, Kyriakos Mitsotakis mban fjalim para mbështetësve të tij, pas fitores në zgjedhje.

Kryeministri i ri konservator grek, Kyriakos Mitsotakis, u betua të hënën, pas një fitoreje bindëse në zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme një ditë më parë.

Mitsotakis, 51 vjeç, u betua në prani të gruas së tij dhe tre fëmijëve.

Ai është zotuar të krijojë vende pune dhe të largojë pengesat për biznesin.

Partia "Demokracia e Re" e Mitsotakis fitoi 39.8 për qind të votave, duke i siguruar 158 vende në Parlamentin 300-anëtarësh, një shumicë kjo komode qeverisëse.

Koalicioni i majtë "Syriza" i kryeministrit të deritanishëm, Alexis Tsipras, mori 31.5 për qind të votave.

Pas shpalljes së rezultateve, kryeministri i ri, Kyriakos Mitsotakis, premtoi se vendi do të “ngre kokën përsëri me krenari”.

Mitsotakis tha se nuk do të dështonte të "nderojë shpresat" e popullit grek.

Kyriakos Mitsotakis - djali i ish-kryeministrit, Konstantinos Mitsotakis - tha se rezultati i dha atij një mandat të fuqishëm për ndryshim, por shtoi se ai do të jetë kryeministër për të gjithë sepse grekët janë "shumë pak për të qëndruar të ndarë".

Fitorja e konservatorëve vjen katër vjet pasi partia e majtë “Syriza” e Alexis Tsipras, erdhi në pushtet duke premtuar fundit e masave të ashpra të kursimit.

Dalja në zgjedhje ishte 57 për qind.

Pas bërjes publike të rezultateve, kryeministri i deritanishëm, Alexis Tsipras, përmendi vendimet e vështira që është dashur të marrë në kohën sa ka qenë në pushtet.

"Sot, me kokën lartë, ne e pranojmë vendimin e popullit. Për të sjellë Greqinë aty ku është sot, ne duhej të merrnim vendime të vështira me një kosto të rëndë politike", tha Tsipras.

Presidenti në largim i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, përgëzoi Mitsotakis për "fitore të qartë" të tij.

Çfarë ndodhi me mbështetjen ndaj Tsipras?

Alexis Tsipras thirri zgjedhjet e parakohshme pas humbjes në zgjedhjet për Parlamentin Evropian, që u mbajtën në muajin maj.

Në vitin 2015 ai kishte rrëzuar nga pushteti “Demokracinë e Re”, duke bërë fushatë kundër politikave shtrënguese financiare, që kishin prekur grekët për vite me radhë.

Megjithatë, brenda disa muajsh, ai u detyrua të pranonte kushte të vështira në këmbim të paketës së tretë ndërkombëtare të ndihmës për Greqinë.

Tsipras u përball me një revoltë nga partia e tij dhe u përgjigj duke thirrur zgjedhje të reja, të cilat i fitoi.

Por, Mitsotakis në vazhdimësi sulmonte të arriturat e rivalit të tij, duke thënë se përmirësimi ekonomik ishte shumë i ngadalshëm.

Ai gjithashtu përfitoi nga zemërimi i përhapur lidhur me marrëveshjen historike për ndryshimin e emrit me Shkupin, sipas së cilës Maqedonia ndryshoi emrin në Maqedonia e Veriut.

Kryeministri i zgjedhur Mitsotakis e ka cilësuar këtë marrëveshje marrëveshjen si “tradhti”.

Çfarë përfaqëson “Demokracia e Re”?

Kryeministri i zgjedhur, Kyriakos Mitsotakis, ka premtuar taksa më të ulëta, më shumë privatizim të shërbimeve publike dhe plane për të rinegociuar një marrëveshje me kreditorët grekë, që do të lejonin më shumë para për t'u ri-investuar në vend.

"Unë dua ta shoh këtë popull të përparojë. Unë dua të shoh duke u kthyer fëmijët që u larguan nga vendi", u tha ai mbështetësve.

Festa e mbështetësve të “Demokracisë së Re”, pas fitores në zgjedhje. Athinë, 7 korrik, 2019.
Festa e mbështetësve të “Demokracisë së Re”, pas fitores në zgjedhje. Athinë, 7 korrik, 2019.

Greqia ka marrë një sërë programesh shpëtimi gjatë dekadës së fundit, nga të cilat zyrtarisht "doli" në gushtin e kaluar, pasi rritja ekonomike e vendit u rikthye.

Por papunësia e të rinjve mbetet e lartë dhe “Demokracia e Re” ka llogaritur shumë nga moshat 18-24 vjeç si mbështetës të saj.

Cilat janë rezultatet e partive tjera?

Lëvizja për ndryshim e qendrës së majtë ka marrë 8.1 për qind të votave, e ndjekur nga Partia Komuniste me 5.3 për qind.

Partia e krahut të djathtë “Agimi i Artë” ka marrë 2.93 për qind më pak se kuota minimale prej 3 për qind për të qenë pjesë e Parlamentit.

Një parti nacionaliste pro-ruse greke e quajtur “Zgjidhja greke” dhe partia “MeRA25” e krahut të majtë e ish-ministrit të Financave, Yanis Varoufakis, e kaluan pragun.

Përgatiti: Kestrin Kumnova

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG