Ndërlidhjet

A do të kandidojë Tërnava për mandatin e katërt në krye të BIK-ut?


Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, i cili është në krye të Bashkësisë Islame të Kosovës qe 13 vjet, po shkon drejt përfundimit të mandatit të tretë të tij në këtë pozitë.

Bazuar në Kushtetutën e Bashkësisë Islame të Kosovës, atij nuk i ndalohet që të rikandidojë për të parin e këtij institucioni. Kjo mundësi i është dhënë atij pas ndryshimeve në nenin i cili e kufizonte që një person mund të shërbente si myfti më së shumti në dy mandate.

Këto ndryshime, Myftiu Tërnava i kishte iniciuar para marrjes së mandatit të tretë si kryetar i BIK-ut. Mirëpo, me kandidimin e tij për herën e tretë, sipas sociologut Ismail Hasani, myftiu Tërnava, kishte shkelur Kushtetutën e BIK-ut, pasi një gjë e tillë nuk i lejohet.

E nëse ai kandidon përsëri, Hasani thotë se kjo do të ishte shkelja e dytë brenda pak vitesh.

“Kur është ndaluar rikandidimi pas dy mandateve, atëherë për të katërtin mandat unë nuk di se si mund të pretendojë myftiu i Kosovës që ta fitojë mandatin e katërt, kur edhe në mandatin e tretë ka qenë jolegjitim sipas Kushtetutës së BIK-ut. Nëse ai pretendon që të jetë njëri prej kandidatëve të mundshëm, bëhet fjalë për shkeljen e dytë të Kushtetutës së Bashkësisë Islame të Kosovës”, thotë Hasani.

Mirëpo në Bashkësinë Islame të Kosovës, thonë se është herët të flitet se cilët do të jenë kandidatët për myfti të Kosovës. Sekretari i BIK-ut, Resul Rexhepi, thotë për Radion Evropa e Lirë, se ata kandidatë që kanë mbi 5 kandidatura, janë kandidatë potencial për tu zgjedhur kryetar të Bashkësisë Islame.

“Këshillat e Bashkësisë Islame, Fakulteti i Studimeve Islame, Medreseja e mesme Alaudin, janë të obliguara që gjatë periudhës dy javore, të bëjnë mbledhje nëpër këshille, në institucione dhe të bëjnë zgjedhjet e një anëtari për Kuvend të BIK-ut dhe propozimin e mundshëm për myfti të Republikës së Kosovës. Këshillat e BIK-ut e kanë të obligueshme që të propozojnë jo më shumë se dy kandidatë” thotë Rexhepi.

Sekretari Rexhepi thotë se i gjithë ky proces pritet të ndodhë në dy javët e ardhshme dhe në fund të muajit të zgjidhet kryetari i ri dhe kryesia e re e Bashkësisë Islame.

Mirëpo Idriz Bilalli, kryetar i Sindikatës së BIK-ut, thotë për Radion Evropa e Lirë, se pa një riorganizim të plotë në aspektin juridiko-administrativ të këtij institucioni, pa një shkëputje të plotë nga fryma e kaluar e monizmit, as në këto zgjedhje, por as më vonë, nuk pritet asgjë e re.

Shpallja e zgjedhjeve nga kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, sipas tij, është vetëm sa për sy e faqe, për t’i hedhur pluhur në sy opinionit dhe mënyra e zgjedhjeve është e përgatitur paraprakisht.

“Krerët e këtij institucioni ia kanë përshtatur vetes rregullat e lojës. Ka një monopol të plotë sa që kështu siç janë rezulton në një formë trashëgimie, pra nuk janë zgjedhje. Unë nuk jam kandidat, por edhe askush tjetër me këtë lloj organizmi nuk mund të jetë kandidat potencial dhe konkurrent, ngase aktualisht gjithçka aty shkon me emërime nga lartë, me joshje, me frikësime, me presion dhe forma tjera”, thotë Bilalli.

Myftiu i Kosovës, që udhëheq rreth 800 xhami në Kosovë, ka mandat 5 vjeçar. Deri më tani nuk është bërë zyrtare asnjë kandidaturë për të parin e Bashkësisë Islame.

Zgjedhjet në BIK pritet të përfundojnë në fund të këtij muaji.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG