Numërimi i votave me kusht mbetet përcaktues për shpalljen e fituesve në garën e balotazhit për kryetarët e komunave, sidomos në rastin e Prishtinës dhe Prizrenit, ku kandidatët kanë dallime të vogla në vota.
Sipas të dhënave të Qendrës së Numërimit të Rezultateve (QNR), numri i përgjithshëm i votave me kusht, atyre më postë dhe personave me nevoja të veçanta, është 13,052.
Numërimi i këtyre votave, sipas përfaqësuesve të QNR-së, do të fillojë pas skanimit të listave të të gjithë votuesve të regjistruar dhe regjistrimit të votuesve me kusht, në bazën e dhënave që pritet të përfundojë në ditën e mërkurë.
Koordinatori i kësaj qendre, Burim Ahmetaj, tha për Radion Evropa e Lirë, se numri i votuesve me kusht është 9,547, numri i përgjithshëm i votave të personave me nevoja të veçanta është 1175, derisa ato me post janë 2330.
Në Komunën e Prishtinës, aty ku këto vota pritet të përcaktojnë kryetarin e ardhshëm është 1824 vota, derisa në Komunën e Prizrenit 1637.
“Janë dy procese që duhet të kompletohen fillimisht, pastaj të hapet rruga e numërimit të këtyre votave. Është regjistrimi i regjistrimit i votuesve me kusht në bazën e të dhënave dhe skanimi i listës përfundimtare të votuesve. Pas përfundimit të këtyre procedurave, atëherë do të mund të fillojmë me numërimin e votave më kusht. Deri nesër do të mund të kompletohet ky proces i skanimit dhe regjistrimit dhe pastaj do t’i hapet rruga numërimit të këtyre votave”, thotë Ahmetaj.
Në Prishtinë, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje Shpend Ahmeti ka fituar 50,14 për qind të votave, ndërkaq kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arban Abrashi ka fituar 49,86 për qind. Kandidati i Vetëvendosjes në Prizren, Mytaher Haskuka ka fituar 50,32 për qind, kurse kundërkandidati i tij nga Partia Demokratike e Kosovës, Shaqir Totaj ka fituar 49,68 për qind të votave.
Në një konferencë për media, përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje thanë se fitorja e kandidatit të tyre për kryetar të Prishtinës është e qartë dhe se zvarritja e numërimit të votove me kusht është e pakuptimtë.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri tha se në qendrat e numërimit kanl ekipet e tyre 24 orë që të sigurohen që i tërë procesit të numërimit të kalojë pa ndonjë problem.
“Të dielën qytetarët kanë folur shumë qartë në secilin komunë, përfshirë edhe në komunat ku Vetëvendosje ka dalë fitues. Lëvizja Vetëvendosje, ka fituar në Prishtinë Prizren dhe në Komunën e Kamenicës, sipas votave 100 për qind të numëruara dhe atyre që kanë mbetur me kusht. Për këtë ju bëjmë thirrje KQZ-së që të nisë këtë proces dhe ta përfundojë procesin e numërimit të votave me kusht. I njëjti trend i të votuarit do të bartet edhe në këto vota më kusht, pasi që kjo është e zakonshme në secilin proces zgjedhor”, tha Ymeri.
Konferencë për media gjatë ditës së martë ka mbajtur edhe Lidhja Demokratike e Kosovë. Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës Ismet Beqiri thotë se kanë kërkuar që të bëhet rinumërimi i të gjitha kutive të votimit në Komunën e Prishtinës.
“Për shkak të numrit të madh të votave të pavlefshme mbi 600, dhe për shkak të numrit të madh të fletëvotimeve të zbrazëta, ne si LDK kemi kërkuar nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa që të urdhërojë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që të bëjë rinumërimin e të gjitha kutive të votimit në Komunën e Prishtinës”.
“Rinumërimi i të gjitha kutive të votimit nuk ka nevojë t’i ikë asnjë subjekt politik. Rinumërimi do të legjitimonte rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve, cilido qoftë ai, dhe do të rriste besueshmërinë e qytetarëve në procesin zgjedhor.
Raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetarë të komunave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe nga koalicioni i organizatave joqeveritare ‘Demokracia në Veprim’, dhe nga organizatat ndërkombëtare është vlerësuar i qetë dhe pa ndonjë parregullsi, që do të cenonte integritetin e zgjedhjeve.
Të drejtën për të votuar e kanë shfrytëzuar 517,360 nga 1 milion e 353 mijë e 613 qytetarë me të drejtë vote.