Ndërlidhjet

LSDM dhe BDI shpallin fitore në zgjedhjet lokale


Zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut
Zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut

Pas përfundimit të votimeve për zgjedhjet lokale, partitë në pushtet, Lidhja Social Demokrate dhe Bashkimi Demokratik për Integrim, në vlerësimet e para flasin për epërsi në më shumë komuna.

Zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani tha se kjo parti që në rrethin e parë ka fitues në tri komuna në ndërsa në komunat tjera kandidatët e saj janë në epërsi.

“Siç kam paralajmëruar edhe gjatë fushatës, pres që rezultatet të tregojnë një mbështetje të fortë të kandidatëve të BDI-së. Mund të konfirmoj se në raundin e parë BDI fiton në Saraj, Likovë dhe në Pllasnicë. Kurse jemi në epërsi në të gjitha komunat e vendit me dallim dy me një dhe diku me tre me një”, tha Osmani.

BDI-ja procesin zgjedhor e ka vlerësuar demokratik dhe të qetë, që sipas Bujar Osmanit “dëshmon se qeveria aktual vazhdon të organizoj zgjedhje evropiane”.

Lidhja Social Demokrate njoftoi për “rezultat pozitiv” të LSDM-së në shumicën e 80 komunave ku të dielën u votua për zgjedhjen e kryetarëve të komunave dhe këshillat komunale.

“Urojmë institucionet të cilat edhe një herë organizuan zgjedhje të lira dhe demokratike, ashtu siç i ngjan një shteti anëtar të NATO-së dhe kandidat për anëtarësim në BE. Kishte disa incidente të vogla, por që u mënjanuan me kohë. Votimi biometrik ishte sfidë për ne, por e kapërcyem edhe këtë risi... po përpunojmë të dhënat dhe të dhënat e para flasin edhe për një fitore të sigurt të LSDM-së, tha sekretari i përgjithshëm i LSDM-së, Lupco Nikollovski.

VMRO DPMNE-ja ndërkohë doli me akuza për keqpërdorim të procesit zgjedhor

"Në pushtet kemi një grup të zhytur në krim dhe korrupsion. Prandaj, ne kishim zgjedhje me shumë parregullsi, prishje të procesit zgjedhor dhe veprime korruptive të qeverisë. Ne kemi vërejtur shkelje të heshtjes zgjedhore, kanosje, presion dhe shantazh nga mbajtës të posteve publike, ministra, keqpërdorim të burimeve shtetërore për qëllime partiake", deklaroi Mile Lefkov nga VMRO DPMNE-ja.

Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, deri në orën 18:30 minuta në votime kanë dalë 49.29 për qind e qytetarëve me të drejtë vote, apo 697,637 qytetarë nga 1.8 milion me të drejtë vote.

Pjesëmarrje më e lartë është regjistruar në komunën e Vevçanit, prej rreth 73 për qind ndërsa më e ulët në komunat me shumicë shqiptare në pjesën perëndimore të vendit, edhe atë mes 30 dhe 40 për qind.

Procesi zgjedhor është zhvilluar kryesisht i qetë dhe pa incidente që do të prishnin rrjedhën e votimit.

Konferenca për media e radhës e KSHZ-së është paralajmëruar për në orën 21:00.

Në votimet e ditës së diel qytetarët kanë zgjedhur kryetarët e 80 komunave dhe të këshillave komunalë si dhe Shkupin me dhjetë komuna, që është njësi e veçantë e pushtetit lokal.

Për kryetarë të komunave garuan 299 kandidatë dhe 577 lista këshilltarësh me 10,600 kandidatë.

Gara kryesore në këto zgjedhje zhvillohet mes dy blloqeve politike; LSDM-së dhe BDI-së që janë në pushtet dhe partive opozitare VMRO-DPMNE dhe Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa.

Partitë shqiptare garën e zhvilluan për qytetet me shumicë shqiptare, si Tetovë, Gostivar, Çair, Kërçovë, Strugë, Dibër si dhe disa komuna rurale.

Beteja mes partive maqedonase është përqendruar në qytetet e mëdha si Shkupi, Manastiri, Prilepi, Ohri, Velesi, Shtipi dhe komunat tjera më të vogla.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG