Ndërlidhjet

Gjithçka gati për zgjedhjet e 22 tetorit


Ilustrim
Ilustrim

Autoritetet e rendit në Kosovë thonë se i kanë bërë përgatitjet e duhura për organizimin e zgjedhjeve lokale që do të mbahen të dielën më 22 tetor, në mënyrë që siguria në vend të jetë në nivel të lartë.

Organet përgjegjëse për organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve, kanë thënë se kanë bërë mobilizime të shtuara për të sanksionuar çdo veprim jo ligjor në procesin e zgjedhjeve lokale.

Zotimet e tyre për mbarëvajtjen e procesit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Prokuroria e Shtetit dhe Policia e Kosovës, i kanë bërë gjatë një konference të përbashkët për media.

Valdete Daka, kryetare e KQZ-së, tha se bashkëpunimi ndërinstitucional ka dhënë efektin e duhur edhe në zgjedhjet e kaluara. Ajo i ka ftuar edhe të gjithë qytetarët të falin në zgjedhje.

Se ditën e zgjedhjeve do të mbrohet vota dhe vullneti i qytetarëve, këtë e ka siguruar zëvendës-kryeprokurorja e Shtetit, Sevdije Morina, e cila ka thënë se tashme janë marrë të gjitha veprimet e nevojshme për datën 22 tetor, kur do të organizohen zgjedhjet lokale, por edhe për balotazhin eventual nëpër komuna të caktuara.

Prokuroria e Shtetit ka caktuar 86 prokurorë në detyrë gjatë ditës së zgjedhjeve, të cilët kanë filluar punën që nga dita e parë e fillimit të fushatës.

Kurse, zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Naim Rexha tha se ky institucion është i gatshëm për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe në bazë të angazhimeve të deritashme, sipas tij, nuk ka ndonjë sinjal të ndonjë rreziku eventual.

Shumë aktivitete janë realizuar në periudhën e para fillimit të fushatës apo gjatë fushatës dhe të gjitha janë të programuara për zhvillim e sipër edhe gjatë ditës së zgjedhjeve”, ka thënë Rexha.

Ndërkohë, Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GSJP) u ka bërë thirrje partive politike që të jenë sa më të hapura në lidhje me financimin e aktiviteteve politike të tyre që nga fillimi e deri në përfundim të fushatës zgjedhore.

Ky Grup, fton partitë politike t’i bëjnë transparente raportet e deklarimit financiar të fushatës zgjedhore, duke i publikuar në kohë që të gjitha të hyrat dhe shpenzimet,sidomos gjatë fushatave zgjedhore në mënyre që këto të jenë të qasshme për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Gjithashtu, partive politike u kërkohet t’i publikojnë të gjitha shpenzimet e tyre që nga fillimi i fushatës zgjedhore e deri në përfundim të saj në mënyrë që të promovohet platforma zgjedhore, si dhe të rritet transparenca.

Partitë politike gjithashtu duhet të publikojnë listën e të gjithë donatorëve dhe shumat e dhuruara për aktivitetet e tyre në mënyrë që të parandalohen aferat e mundshme korruptive në mes të partive politike dhe donatorëve të tyre, sidomos gjatë procesit të tenderimit publik”, theksohet në një deklaratë të Grupi për Studime Juridike dhe Politike.

Me 22 tetor do të mbahen zgjedhjet lokale në 38 komunat e Kosovës. Si rezultat do të zgjidhen kryetarët e rinj të komunave dhe këshilltarët nëpër asambletë komunale.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar 91 subjekte politike për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale, prej tyre 1 koalicion, 35 parti politike, 30 iniciativa qytetare dhe 25 kandidatë të pavarur (qoftë për kryetar komune apo për këshilltar në kuvendet komunale).

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG