Ndërlidhjet

Çfarë do të ofronin zgjedhjet e parakohshme në Maqedoninë e Veriut?


Kuvendi i Maqedonisë, foto nga arkivi
Kuvendi i Maqedonisë, foto nga arkivi

Dyshimet për përfshirjen e ish kryeprokurores speciale, Katica Janeva në një skandal ryshfeti, kanë rritur kërkesat e opozitës për zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Pikërisht kjo kërkesë ka çuar në dështimin e takimit të liderëve të partive politike të thirrur nga kryeministri, Zoran Zaev, për shkak se në nuk ishte paraparë të debatohej për kërkesën e opozitës.

Zaev ka thënë se vendi nga zgjedhje të reja do të humbiste ekonomikisht ndërsa ka theksuar nevojën për të debatuar për çështjen që kanë të bëjnë me regjistrimin e popullsisë dhe ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

Por, VMRO DPMNE-ja opozitare konsideron se “zgjedhjet janë zgjidhja e vetme për krizën e rëndë të nxitur nga Qeveria e korruptuar dhe e paaftë e kryeministrit Zaev”.

Por, qëndrimet e tilla të partive politike nga njohësit e çështjeve politike, shihen edhe si taktizim për pozicione më të mira.

“Mendoj se ajo që kërkon Mickovski më tepër ka të bëjë me presion ndaj pushtetit se me mbajtjen e zgjedhjeve pasi dy partitë kanë besueshmëri thuajse të njëjtë dhe kjo do të ishte e rrezikshme për dy blloqet nëse vendosin të shkojnë në zgjedhje, në aspekt të numrit të deputetëve që mund të fitojnë dhe formimit më pas të qeverisë".

"Sidoqoftë, të gjitha partitë opozitare synojnë zgjedhjet për të ardhur në pushtet, kështu e shoh edhe kërkesën e opozitës tek ne”, thotë analisti Nenad Markoviq duke shtuar se zgjedhje këtë vit vështirë se do të ketë, por nuk e përjashton mundësinë që ato të mbahen në pranverë, por gjithçka sipas tij varet nga raporti i BE-së, në vjeshtë, sa i përket datës për çeljen ose jo të negociatave.

“Mendoj se zgjedhje nuk do të ketë këtë vit para se gjithash për shkak të pritjeve të vendimit të BE-së në tetor, për çeljen ose jo të negociatave me Maqedoninë e Veriut. Vendimi që do të merret konsideroj se do të përcaktojë kursin e ardhshëm të partive politike. Nëse merret data, besoj se zgjedhjet e parakohshme janë më reale dhe ato do të mund të mbaheshin në mars apo prill të vitit të ardhshëm. Ky do të ishte momenti më i volitshëm për pushtetin që datën ta shfrytëzojë për ruajtjen e pushtetit në zgjedhje".

"Pra, gjërat do të jenë më të qarta në tetor dhe deri atëherë do të vazhdojnë përplasjet mes partive për pozicione më të fuqishme”, thotë Markoviq.

Por, ndryshe nga ai mendon Arsim Sinani nga Qendra për Studime Ndërkombëtare dhe Hulumtime Ballkanike, sipas të cilit vendi ka nevojë për zgjedhje të reja.

“Mendoj se Maqedonisë së Veriut i duhen zgjedhje të parakohshme parlamentare për shkak se na duhet një qeveri me më tepër kompetenca dhe më pak e korruptuar dhe nuk mendoj se kjo përbërje maqedonase mund të sjell diçka të mirë për qytetarët përveç pesimizmit dhe të largimit të tyre për shumë arsye të cilat dihen”, thotë Sinani, duke akuzuar Qeverinë për mospërmbushjen e premtimeve të shumta që kishte dhënë para ardhjes në pushtet dy vjet më parë, e të cilat edhe mund të jenë arsyeje që Zaevi t’i shmanget mbajtjes së zgjedhjeve.

“Qeveria aktuale është në krizë të thellë për shkak se nuk kemi parë reforma gjatë kësaj periudhe, çështja tjetër është se Zaevi është në pikët më të ulët për shumë arsyeje për shkak se abuzoi me votën e qytetarit. Ndërkohë kur flas për shqiptarët në raport me qeverinë, ata nuk pan diçka substanciale për ta, por vetëm premtime e buzëqeshje. Pra, këto janë pak a shumë shqetësimet se pse nuk do të mbahen zgjedhje”, thotë Sinani.

Mundësia për zgjedhje të parakohshme ishte paralajmëruar fillimisht nga kryeministri Zoran Zaev në rast të mos marrjes këtë verë të datës për negociata me BE-së, por në vend të kësaj, Zaev ka bërë një riformatim të vogël të Qeverisë, që nga opozita është vlerësuar më tepër si farsë ”për t’i ikur zgjedhjeve të parakohshme.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG