Në Bullgari sot po mbahen zgjedhjet parlamentare, pas të cilave Maqedonia e Veriut pret intensifikim të dialogut për çështjet e hapura që kanë bllokuar integrimin evropian. Nga qeveria në Shkup thonë se mbeten të përkushtuar për vazhdimin e dialogut, por jo edhe për çështjet lidhur me identitetin. Ekspertët ndërkohë nuk presin ndonjë ndryshim të madh në politikën bullgare. Sipas Mersel Bilallit dhe Simonda Kacarskës, presioni ndaj Sofjes do të rritet dhe mund të hiqet vetoja për nisjen e bisedimeve, por se ky proces do të përcillet në vazhdimësi me kushtëzime nga ana bullgare.
Maqedonia e Veriut është e përkushtuar për vazhdimin e dialogut me Bullgarinë, pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve që po mbahen këtë të diel në fqinjin lindor, thonë nga qeveria, të pyetur për të komentuar pritjet nga zgjedhjet parlamentare në Bullgari.
“Zgjedhjet parlamentare në Republikën e Bullgarisë janë një proces demokratik dhe ne i trajtojmë ato si një çështje ekskluzivisht të brendshme. Për më tepër, ne duam të theksojmë se marrëdhëniet e mira bilaterale ndërtohen me respekt të përhershëm të ndërsjellë dhe përmes dialogut dhe bashkëpunimit konstruktiv”, thuhet në qëndrimin e qeverisë.
Kryeministri Zoran Zaev, në disa raste ka theksuar se me Sofjen mund të bisedohet për të gjitha çështjet e hapura, por jo edhe për ato që kanë të bëjnë me identitetin, gjuhën dhe veçoritë e tjera të kombit maqedon.
Zaev pret që pas zgjedhjeve të intensifikohet dialogu politik për kapërcimin e dallimeve dhe zhbllokimin e procesit të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.
“Procesi i bisedimeve zyrtare ka përfunduar dhe unë besoj që tani duhet të pasoj procesi i realizimit të planit aksional dhe menjëherë pas zgjedhjeve në Bullgari, të nisin bisedimet politike, pasi para zgjedhjeve, do të kishte qenë jo racionale apo jo produktive që të bisedohet për tema politike”, ka deklaruar kryeministri Zaev.
Dy vendet që nga nëntori i vitit të kaluar i kanë përkeqësuar raportet për shkak të vetos bullgare lidhur me nisjen e bisedimeve të anëtarësimit, mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së.
Sofja kërkon marrëveshje për gjuhën, kombësinë maqedonase dhe personalitetet historike. Ajo nuk konteston identitetin maqedonas, por kërkon që autoritetet të pranojnë se ato para vitit 1945 kanë pasur “rrënjë bullgare”.
Por, kjo kërkesë është kundërshtuar nga zyrtarët maqedonas ndërsa gjatë periudhës së fundit janë shkëmbyer akuza e fyerje nga më të ndryshmet, që për zyrtarët në Shkup, kanë qenë reflektim i periudhës parazgjedhore në Bullgari.
Njohësit e çështjeve ndërkombëtare, kanë qëndrime të ndryshme lidhur me pritjet nga zgjedhjet në Bullgari.
Mersel Bilalli, njohës i çështjeve ndërkombëtare, thotë për Radion Evropa e Lirë se pas zgjedhjeve, Bullgaria do të përballet me presione për heqje dorë nga bllokimi i Maqedonisë së Veriut, por se bisedimet, sipas tij, do të përcillen në vazhdimësi me problemin bullgar.
“Realisht nuk mund të bëj një lidhje mes zgjedhjeve dhe pozicioneve të dy shteteve, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me historinë, kështu që edhe pas zgjedhjeve nuk shoh ndonjë ndryshim dramatik në këtë drejtim. Por, vlerësoj se presioni i jashtëm do të jetë shumë i fuqishëm dhe ne kemi edhe qëndrimin e Departamentit Amerikan të Shtetit, kështu që nuk jam i sigurt se do të ketë bllokim të bisedimeve nga Bullgaria, së paku jo në periudhë afatgjate, por bisedimet do të vazhdojnë deri në fund të procesit të anëtarësimit”, thotë Mersel Bilalli, njohës i çështjeve ndërkombëtare.
Simonida Kacarska, drejtuese e Qendrës për Studime Evropiane, thotë për Radion Evropa e Lirë, se pas zgjedhjeve do të ketë lëvizje të reja në raport me Bullgarinë, të paktën sipas saj nuk pritet të ketë retorikë të ashpër siç kishte muajve të fundit.
“Padyshim se periudha pas zgjedhjeve apo në fillim të mandatit të një qeverie është më adekuate që të mund të kërkohet një zgjidhje e përbashkët me Bullgarinë. Deri më tani besoj se kjo ishte e pamundur, duke marrë parasysh faktin se partitë atje ishin në fushatë zgjedhore, por edhe para kësaj ato nuk ishin në gjendje për kompromise meqë ishte periudhë kur partitë qoftë edhe me kontestin, tentonin të përfitonin pikë politike”, thotë Kacarska.
Ajo thotë se politika bullgare është e unifikuar në raport me Maqedoninë e Veriut, por gjërat mund të ndryshojnë sikur pjesë e qeverisë të mos jenë partitë apo politikanët me qëndrime ekstreme, sipas saj.
“Deklaratat që formulojnë qëndrimin bullgar lidhur me kontestin me Maqedoninë e Veriut janë miratuar me konsensus në Parlamentin e tyre, prandaj mendoj se nuk kemi garanci se qëndrimet e qeverisë së re mund të jenë më ndryshe. Ndoshta mund të kishim ndonjë pozicion më të zbutur sikur në qeverinë e tyre të mos ketë parti apo lider me qëndrime ekstreme në raport me kontestin tonë. Presioni ndaj palës bullgare do të vazhdoj nga partnerët evropian dhe ndoshta deri në verë mund të pritet ndonjë lehtësim, por sërish e them se ndonjë ndryshim të madh në politikën e tyre vështirë se mund të pritet”, thotë Simonida Kacarska, drejtuese e Qendrës për Studime Evropiane.
Partitë politike në Maqedoninë e Veriut, në veçanti ato maqedonase, në vazhdimësi janë përplasur lidhur me raportet me Bullgarinë. VMRO DPMNE-ja opozitare akuzon qeverinë për “shitje të interesave kombëtare, gjuhës dhe identitetit”, ndërsa ka kërkuar hartimin e vijave të kuqe që të braktisen bisedimet nëse Sofja insiston që të bisedohet për çështjet që kanë të bëjnë me identitetin.
Dy shtetet më 2 gusht të vitit 2017, kanë nënshkruar marrëveshjen për fqinjësi të mirë, por ajo jo vetëm që nuk është zbatuar, por ka shërbyer për thellimin e mosmarrëveshjeve.
Facebook Forum