Ndërlidhjet

I braktisin zyrat në kërkim të votave


Ilustrim.
Ilustrim.

Që nga shpallja e datës së zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit, efikasiteti i punës në institucionet qendrore dhe lokale ka rënë dukshëm, thonë përfaqësues të shoqërisë civile. Sipas tyre, ndikimi i zgjedhjeve në punën dhe efikasitetin e institucioneve është rritur dukshëm, pasi që zyrtarët, si ata komunalë ashtu edhe ata të qeverisë në largim, janë vënë në garë për të siguruar vota për partitë që përfaqësojnë.

Sipas shoqërisë civile, si në nivelin qendrore ashtu edhe atë lokal, është evidente edhe mosparaqitja e zyrtarëve në vendet e tyre të punës, fakt ky që besohet se “e dëshmon politizimin e institucioneve në Kosovë”.

Fushata zgjedhore pritet të fillojë më 25 shtator dhe do të zgjasë dhjetë ditë. Por, partitë dhe koalicionet qysh tash kanë nisur aktivitet zgjedhore, si dhe kanë dalë me emrat e kandidatëve të tyre për kryeministrin e ardhshëm të Kosovës.

Drejtori i Organizatës “Çohu”, Arton Demhasaj, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, ka kritikuar zyrtarët e institucioneve nga radhët e partive politike që po marrin pjesë në aktivitete të ndryshme zgjedhore, duke thënë se ata po lënë anash punët, detyrat dhe obligimet ligjore që i kanë.

“Ky është tregues se sa është e politizuar administrata publike. Dhe kjo është arsyeja kryesore që organizata ‘Çohu’ kërkon që kjo administratë të depolitizohet dhe të mos jetë e ndikuar nga partitë politike, për shkak se në momentin kur shpallen zgjedhjet, një pjesë e madhe e stafit është e angazhuar nëpër fushata të partive politike. Kjo në masë të madhe mund të dëmtojë edhe punën e institucioneve, pasi që ata nuk paraqiten në zyrat e tyre për të përfunduar punët që ju takojnë, duke vrapuar në terren në tentativë që të sigurojnë vota për partitë politike që ata u përkasin”, tha Demhasaj.

Edhe Mexhide Demolli-Nimani, drejtoreshë e Lëvizjes FOL, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, tha se pjesëmarrja e zyrtarëve shtetërorë nëpër aktivitete zgjedhore, madje ende pa filluar zyrtarisht fushata, janë të dëmshme për institucionet dhe performancën e tyre.

Ajo e cilëson si joetike kandidimin e disa kryetarëve të komunave për pozitën e deputetit në Kuvendin e Kosovës.

“Edhe pse ligjërisht ju lejohet një gjë e tillë, pra kandidimi për deputet edhe pse janë kryetar të komunave, mund të them se kjo gjë nuk është etike. Të kandidosh vetëm për t’i fituar vota më shumë partisë dhe në fund të lirosh postin e deputetit për dikë tjetër, ky veprim nuk është etik e as i moralshëm”, tha Demolli-Nimani.

Fillimi i fushatës që nga dita e shpalljes së datës së zgjedhjeve, sipas saj, po ndikon negativisht në punët e përditshme të institucioneve qendrore dhe lokale.

“Nuk mund të jenë në të njëjtën kohë në dy vende të ndryshme”, tha Demolli- Nimani.

Kurse, Arton Demhasaj, thotë se situata më alarmante sa i përket punës në institucione, paraqitet në nivelin komunal.

“Këtu është edhe më rendë dhe nëse administrata qendrore është e politizuar 60-70 për qind, administrata lokale është 100 për qind e politizuar. Kështu, efekti negativ mund të vërehet në komuna sepse atje politizimi është i skajshëm”, thotë Demhasaj.

Ndërkaq, Mexhide Demolli- Nimani thotë se autoritetet është dashur që të krijojnë mekanizma që monitorojnë sjelljet e zyrtarëve shtetërorë gjatë procesit zgjedhor. Gjatë orarit të punës, sipas saj, duhet rreptësisht t’u ndalohet pjesëmarrja në tubime partiake.

“Por, partitë politike kur është puna te votat, nuk po njohin as etikë e as moral, ngase kjo lirisht mund të them se është një mashtrim që ju bëhet qytetarëve”, thekson ajo.

“Përderisa aktualisht nuk ka ndonjë mekanizëm që i kontrollon këta edhe veprojnë lirisht”, thotë Demolli-Nimani.

Në Ligjin për zgjedhjet e përgjithshmenë Kosovë thuhet se “subjektet politike nuk mund të shfrytëzojnë nëpunësit civilë që përdorin pozitën, burimet, ose personelin për fushatë gjatë zgjedhjeve”. Aty, po ashtu, theksohet se “përdorimi i zyrave publike, burimeve ose personelit të cilitdo institucion në nivel qendror ose lokal, me qëllim të mbështetjes së një subjekti politik në zgjedhje, është rreptësisht i ndaluar”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG