Ndërlidhjet

Biden dhe Trump tentojnë të bindin votuesit para zgjedhjeve për Kongres


Presidenti amerikan, Joe Biden, dhe ish-presidenti amerikan, Donald Trump. Fotografi nga arkivi.
Presidenti amerikan, Joe Biden, dhe ish-presidenti amerikan, Donald Trump. Fotografi nga arkivi.

Presidenti amerikan, Joe Biden, dhe ish-presidenti Donald Trump, kanë mbajtur tubime teksa fushata për zgjedhjet që mund ta riformësojnë Kongresin hyri në ditën e fundit.

Biden dhe Trump u bënë thirrjet e fundit votuesve në Nju Jork, respektivisht në Florida.

Kohët e fundit, momentumi është zhvendosur drejt republikanëve, të cilët po përpiqen që të marrin nga demokratët kontrollin e dy dhomave të Kongresit.

Republikanët konsiderohen favoritë për të fituar në Dhomën e Përfaqësuesve, por fitorja në Senat ende paraqet sfidë, kanë sugjeruar sondazhet.

Marrja e kontrollit të një prej dhomave të Kongresit nga republikanët do të paraqiste një pengesë të madhe për agjendën legjislative të presidentit Biden.

Me fushatën që përmbyllet të hënën, partia e Bidenit po bëhet gati të humbë edhe në ato pjesë të shtetit ku demokratët zakonisht dalin mirë në zgjedhje.

Biden foli para votuesve në Nju Jork të dielën, në mbështetje të guvernatores Kathy Hochul, e cila po sfidohet nga kandidati republikan, që ka mbështetjen e Trumpit, Lee Zeldin.

Hochul ka marrë mbështetjen e disa prej figurave më të njohura të demokratëve – nga ish-presidenti Bill Clinton, nënpresidentja Kamala Harris dhe ish-sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton.

Gjatë fjalimit, Biden tha se zgjedhjet ishin “pikë kthese” që do të përcaktojnë 20 vjetët e ardhshëm. Ai u tha votuesve amerikanë se ata do të zgjedhin midis dy “vizioneve fundamentalisht të ndryshme për Amerikën”.

Ndërkaq, paraardhësi i tij, Donald Trump, mori pjesë në një tubim në Majami, në mbështetje të Marco Rubios, që po garon edhe për një mandat. Ish-presidentit amerikan për më shumë se një orë kritikoi demokratët, duke i akuzuar se po e çojnë vendin drejt “komunizmit”.

“Demokratët duan ta shndërrojnë Amerikën në Kubën komuniste apo Venezuelën socialiste”, tha Trump.

“Të gjithë amerikanëve hispanikë në Florida dhe në mbarë vendin, ne ju mirëpresim me krahëhapur në Partinë Republikane”, shtoi ai.

Trump po ashtu vazhdoi të linte të kuptohej se do të garojë sërish për president në zgjedhjet e vitit 2024, duke u kërkuar votuesve që të presin pjesëmarrjen e tij në tubimin e së hënës në Ohajo.

Sondazhet sugjerojnë se demokratët kanë të ngjarë që të humbin shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve.

Kontrolli i Senatit me gjasë do të varet nga rezultatet e garave të ngushta në Pensilvani, Gjorgjia dhe Nevada.

Më shumë se 40 milionë votues veçse kanë votuar për zgjedhjet në Kongres, që sipas ekspertëve është numër më i lartë sesa në zgjedhjet e vitit 2018.

Por, votimet me postë zakonisht marrin më shumë kohë të numërohen sesa votimet e rregullta, duke bërë që rezultatet në shumë shtete të mos jenë definitive gjatë mbrëmjes së të martës.

Në shumë shtete kyçe, sikurse Uiskonsin dhe Pensilvani, zyrtarëve zgjedhorë nuk u lejohet që të nisin numërimin e votave deri në ditën e zgjedhjeve.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG