Ndërlidhjet

Millatoviq: Zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi sa më shpejt


Jakov Milatoviq, presidenti i zgjedhur i Malit të Zi.
Jakov Milatoviq, presidenti i zgjedhur i Malit të Zi.

Presidenti i zgjedhur i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, tha të mërkurën se zgjedhjet parlamentare duhet të mbahen sa më shpejt që të jetë e mundur, me pëlqimin e të gjitha partive.

Presidenti aktual i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, i cili humbi nga Millatoviq në zgjedhje, bëri thirrje për zgjedhje të jashtëzakonshme, dy ditë para rundit të parë të zgjedhjeve presidenciale më 19 mars.

I pyetur për të komentuar nismën e kryeministrit Dritan Abazoviq për anulimin e dekreteve të presidentit aktual Millo Gjukanoviq, Millatoviq tha se e ka parë atë, por se për momentin nuk mund të thotë asgjë për këtë.

“Është e rëndësishme që Mali i Zi të ketë zgjedhje sa më shpejt që të jetë e mundur dhe kjo duhet të jetë me pëlqimin e të gjitha partive. Dëshiroj të ndërpres praktikën e Gjukanoviqit, e cila ishte në prag të keqpërdorimit të sistemit. Gjërat duhet të zgjidhen përmes dialogut”, u tha Millatoviq gazetarëve në Podgoricë, më 12 prill.

Ai theksoi se është e nevojshme të respektohet dekreti që është në ligjërisht në fuqi dhe i referohet zgjedhjeve, transmeton Beta.

“Gjykata Kushtetuese nuk ka sjellë një përfundim për atë dekret dhe unë si president, nga 21 maji, do të veproj në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën. Dekreti është në fuqi, kalendari zgjedhor ka nisur të rrjedhë, listat dorëzohen deri më 16 maj. Kjo është situata”, tha Millatoviq.

Andrej Milloviq, një zyrtar i lartë i Lëvizjes “Evropa tani”, nënkryetar i së cilës është Millatoviq, tha se shumica e ekspertëve ligjorë pajtohen se presidenti i ri i zgjedhur nuk ka bazë ligjore për të rrëzuar vendimin e Gjukanoviqit për shpërndarjen e Kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare për datën 11 qershor.

Gjykata Kushtetuese, pak ditë më parë, nuk vendosi për iniciativën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Gjukanoviqit për shpërndarjen e Kuvendit, sepse tre gjyqtarë votuan pro dhe tre kundër propozimit për refuzimin e nismës, me arsyetimin se kjo instancë gjyqësore nuk është kompetente për të vlerësuar kushtetutshmërinë e akteve juridike individuale.

Më herët, deputetët e shumicës parlamentare, në nismën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të presidentit për shpërndarjen e Kuvendit, kërkuan që Gjykata, deri në marrjen e vendimit përfundimtar, të urdhërojë pezullimin e ekzekutimit të të gjitha akteve apo veprimeve individuale të bazuara mbi dekretin e presidentit.

Abazoviq më pas ka theksuar një sërë akuzash kundër Gjykatës Kushtetuese, duke thënë se gjyqtarët nuk duan ta mbrojnë rendin juridik.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG