Ndërlidhjet

Zëvendësministri i Financave: E lashë konferencën në Tiranë sepse Kosovës iu vu fusnota


Fotografi ilustruese.
Fotografi ilustruese.

Zëvendëministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Agon Dobruna, ka thënë se ai ishte larguar në mënyrë proteste nga një konferencë në Tiranë të Shqipërisë, pasi që emri i Kosovës ishte shoqëruar me fusnotë.

“Pavarësisht kërkesës sonë të qartë dhe të drejtpërdrejtë për të korrigjuar këtë paraqitje, ajo u injorua, duke shkelur frymën e bashkëpunimit, respektit dhe barazisë që promovon vetë konferenca”, shkroi Dobruna në Facebook.

Konferenca për të cilën flet Dobruna ishte zhvilluar më 9 prill në Tiranë dhe ishte konferencë rajonale për kujdesin e fëmijëve.

Në konferencën e titulluar “Përshpejtimi i Reformave të Kujdesit për Fëmijët drejt Anëtarësimit në Bashkimin Europian” kishin marrë pjesë edhe përfaqësues nga Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, të pritur nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Më 24 shkurt të vitit 2012, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje për përfaqësimin rajonal, që më vonë u bë e njohur si “marrëveshja e fusnotës”.

Në bazë të kësaj marrëveshjeje, fusnota do t’i shtohej emrit të Kosovës sa herë që vendi do të përmendej, për ta mundësuar përfaqësimin në konferenca e iniciativa të ndryshme rajonale e ndërkombëtare.

“Ky përcaktim është pa paragjykime ndaj statusit dhe në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe me opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për aktin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës”, thuhet në marrëveshje.

Dobruna tha se prania e fusnotës e detyroi atë të largohet dhe e la pa nënshkruar deklaratën e angazhimit nga vendet e Ballkanit Perëndimor për bashkëpunim rajonal në fushën e të drejtave të fëmijëve.

“Përdorimi i fusnotës në këtë kontekst nuk është një çështje procedurale – është një çështje e dinjitetit kombëtar, e respektit dhe e trajtimit të barabartë, veçanërisht kur organizatori është një vend mik i Republikës sonë”, shkroi Dobruna në Facebook.

Në vitet pas nënshkrimit të marrëveshjes, emrit të Kosovës i bashkëngjitej gjithnjë edhe simboli i fusnotës në dokumente të OKB-së, BE-së e institucioneve të tjera ndërkombëtare.

Në vitet e fundit, megjithatë, në disa dokumente - si në rezoluta të Parlamentit Evropian, apo në dokumentet e Marrëveshjes së Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi - fusnota nuk e ndiqte emrin e Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG