Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky gjatë vizitës në Hagë të Holandës të enjten, tha se presidenti rus, Vladimir Putin duhet të sillet para drejtësisë për luftën e tij në Ukrainë.
Ai ka bërë thirrje për krijimin e një gjykate speciale të dedikuar për gjykimin e pushtimit rus të Ukrainës.
“Ne do të krijojmë një gjykatë të veçantë për të treguar se këta njerëz nuk janë të paprekshëm. Ne kemi nevojë për drejtësi”, tha ai në një konferencë shtypi.
Gjykata Ndërkombëtare Penale, një gjykatë e përhershme për krimet e luftës me seli në Hagë, në mars lëshoi një urdhër arresti për Putinin për dëbimin e dyshuar të fëmijëve nga Ukraina, që do të ishte një krim lufte.
Por GJNP-ja nuk ka juridiksion mbi krimin e agresionit në Ukrainë.
Një akt agresioni përkufizohet nga Kombet e Bashkuara si "pushtim ose sulm nga forcat e armatosura të një shteti (në) territorin e një shteti tjetër, ose çdo pushtim ushtarak".
Komisioni Evropian, ndër të tjera, ka thënë se mbështet krijimin e një qendre të veçantë ndërkombëtare për ndjekjen penale të krimit të agresionit në Ukrainë, që do të ngrihet në Hagë.
“Ne të gjithë duam të shohim një Vladimir (Putin) tjetër këtu në Hagë, atë që meriton të sanksionohet për veprimet e tij kriminale këtu, në kryeqytetin e së drejtës ndërkombëtare”, tha Zelensky në një fjalim më herët gjatë ditës.
“Jam i sigurt se kjo do të ndodhë kur të fitojmë dhe ne do të fitojmë”, tha ai.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, mbërriti në Holandë të mërkurën vonë për një udhëtim të paparalajmëruar më parë.
Ai arriti në aeroportin e Amsterdamit me një aeroplan të qeverisë holandeze që vinte nga Helsinki dhe më pas u drejtua në një autokolonë drejt Hagës nën shoqërimin e policisë.
Ligjvënësit holandezë konfirmuan në Twitter se një takim me presidentin ukrainas ishte planifikuar në Hagë të enjten.
Mediat holandeze raportuan se ai do të takohet gjithashtu me kryeministrin e Holandës, Mark Rutte, dhe do të mbajë një fjalim në Hagë.
Vizita e presidentit ukrainas, Zelensky, nuk u njoftua paraprakisht dhe shënon vizitën e parë të liderit ukrainas në Holandë.
Më parë, ai ishte takuar me liderët nordikë në një samit në Finlandë, në të cilin ata premtuan mbështetjen e tyre për liderin ukrainas për aq kohë sa të ishte e nevojshme.
Holanda deri tani i ka ofruar Ukrainës ndihmë ushtarake prej rreth 1.2 miliardë euro duke ndihmuar Ukrainën që të mbrohet kundër pushtimit të plotë të Rusisë.
Rusia nisi pushtimin e Ukrainës në muajin shkurt të vitit të kaluar.