Ndërlidhjet

Zelensky: Takimi me Xi-në, “i rëndësishëm për sigurinë botërore”


Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se planifikon të takojë presidentin kinez, Xi Jinping për të diskutuar propozimin për armëpushim që synon dhënien fund të luftës në Ukrainë.

Sipas Zelenskyt, një takim i tillë do të ishte “i rëndësishëm për sigurinë në botë”.

Duke folur në përvjetorin e parë të luftës së Rusisë në Ukrainë, Zelensky ka mirëpritur disa elemente të propozimit kinez për armëpushim, mirëpo ka thënë se nuk është plan konkret.

Plani 12-pikësh i Kinës për “zgjidhje politike” nuk i bën thirrje Rusisë që të largohet nga Ukraina.

Propozimi është pritur me skepticizëm nga aleatët e Ukrainës.

Zelensky u ka thënë gazetarëve më 24 shkurt se nuk është gjë e keqe që Kina ka folur për Ukrainën.

“Pyetja është se çfarë pason pas fjalëve. Pikëpyetje janë hapat dhe ku çojnë ata”.

Autoritetet kineze nuk kane reaguar ende lidhur me këto deklarata.

Ndërkohë, presidenti francez, Emmanuel Macron, i ka bërë thirrje Pekinit që “të ndihmojë në rritjen e presionit ndaj Rusisë” për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Macron, i cili ka thënë se do ta vizitojë Kinën në fillim të prillit, ka shtuar se paqja është e mundshme nëse “agresioni rus ndalet, trupat ushtarake tërhiqen dhe nëse respektohet sovranitetin territorial i Ukrainës”.

Ndaras, presidenti amerikan, Joe Biden ka thënë në një intervistë se ideja që Kina të luajë rolin e paqebërësit në Ukrainë “nuk është racionale”.

“[Presidenti rus, Vladimir] Putin është duke e duartrokitur atë, andaj si mund të jetë i mirë?” ka thënë Biden për ABC News.

“Nuk kam parë asgjë në plan që tregon se ekziston ndonjë përfitim për dikë tjetër përveç Rusisë”, ka shtuar ai.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.

Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase ka thënë të shtunën se ushtria ka zmbrapsur 70 sulme të ushtrisë ruse në drejtim të qyteteve ukrainase, Kupiansk, Liman, Bahmut dhe Avdivka në lindje.

Më 25 shkurt, Ministria britanike e Mbrojtjes ka thënë në përditësimin e fundit se Rusia duket se ka mbetur me sasi të vogla të dronëve iranianë dhe mëton të furnizohet me ta.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG