Ndërlidhjet

Zelensky e kujton urinë e viteve ’30 si gjenocid kundër ukrainasve


Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se është “tejet e rëndësishme” të kujtohet uria e viteve 1932-33, e cila vrau miliona ukrainas, si një “gjenocid” i kryer nga Bashkimi Sovjetik i mbizotëruar nga Rusia.

“Ata u përpoqën të na zhbëjnë, të na nënshtrojnë, të na torturojnë. Ata dështuan. Ata deshën ta fshihnin të vërtetën nga ne dhe t’i mbulonin krimet e tmerrshme përgjithmonë. Ata dështuan”, tha Zelensky gjatë një fjalimi të shtunën, në të cilin e kujtoi urinë nën udhëheqjen e diktatorit sovjetik, Josef Stalin.

Ai shtoi se sot “me nderimin dhe pikëllimin më të madh, ne i kujtojmë miliona njerëz tanë”.

Tragjedia e urisë njihet si Holodomor në Ukrainë, që në shqip e ka kuptimin “vrasje përmes urisë”.

Dita Përkujtimore e Holodomorit u shënua këtë të shtunë në Ukrainë.

Zelensky e nxori një paralele mes urisë së Holodomorit dhe pushtimit të tanishëm të Ukrainës nga Rusia, ushtria e së cilës po i sulmon infrastrukturën dhe depot e eksportimit të drithërave ukrainase.

“Ky është një proces ku linja e politikës totalitare sovjetike dhe linja e politikës moderne ruse e formojnë një shenjë të përbashkët. E liga nuk u ndal. Dhe tani, ne po e ndalim atë”, u shpreh ai.

Pikërisht në ditën e Holodomorit, Rusia e sulmoi Ukrainën me një numër rekord dronësh iranianë, duke i plagosur disa njerëz dhe duke shkaktuar dëme, thanë zyrtarët ukrainas të shtunën, duke e cilësuar këtë si sulmin më të madh rus me dronë prej se Moska e nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës në shkurt 2022.

Mbrojtja Ajrore e Ukrainës tha se i ka rrëzuar 71 prej 75 dronëve – rreth 60 mbi Kievin - me të cilët Rusia e sulmoi të shtunën.

Ukraina është duke u përgatitur për sulme më të shpeshta ruse ndaj infrastrukturës së saj energjetike gjatë sezonit të ftohtë, sepse Moska e kishte kryer një fushatë të ngjashme dimrin e kaluar, duke i lënë miliona ukrainas në terr dhe në të ftohtë, pasi ua kishte shkatërruar infrastrukturën jetike të energjisë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG