Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e ka pranuar për herë të parë që ushtria e tij është duke kryer ofensivë brenda rajonin perëndimor rus, Kursk.
Ai ka thënë përmes një videoje të shtunën se ushtria ukrainase është duke dërguar luftën në “territorin e agresorit”.
Kievi e ka nisur një sulm të papritur të martën dhe avancuar shpejt, më shumë se 10 kilometra brenda Rusisë – duke shënuar ndërhyrjen më të thellë prej kur Moska e ka nisur luftën në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.
Në Ukrainë, Kievi dhe disa rajone tjera janë përballur me sulme raketore ruse, si dhe me sulme me dronë, në orët e para të së dielës, kanë thënë zyrtarët lokalë.
Sipas tyre, një burrë 35-vjeçar dhe djali i tij katërvjeçar janë vrarë në rajonin e Kievit, si pasojë e sulmeve raketore.
Është raportuar edhe për plagosjen e një 13-vjeçari në atë rajon.
Zelensky i ka falënderuar të shtunën “luftëtarët” e Ukrainës, dhe ka thënë se e ka diskutuar operacionin në Rusi, me komandantin e ushtrisë ukrainase, Oleksandr Syrskyi.
“Ukraina është duke dëshmuar që mund të rikthejë drejtësinë dhe të garantojë presion ndaj agresorit”, ka thënë ai.
Deri më tani Rusia nuk ka arritur të pengojë avancimin ukrainas.
Më shumë se 76.000 njerëz janë evakuuar nga rajoni Kursk dhe autoritetet kanë nisur të zbatojnë masa kundër terrorizmit në atë zonë, dhe rajone tjera kufitare.
Kjo nënkupton që autoritetet në Kursk, Belgorod dhe Brajansk mund të kufizojnë lëvizjen e njerëzve dhe makinave, dhe mund të kryejnë përgjime telefonike.
Inkursioni ukrainas në Rusi, i nisur në martën, është kryer me gati 1.000 ushtarë, tanke dhe pajisje të armatosura, ka thënë Rusia.
Prej atëherë, ukrainasit është raportuar të ketë fituar kontrollin e disa fshatrave, dhe janë duke kërcënuar për të fituar edhe qytezën rajonale ruse, Sudzha.