Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë të martën se Ukraina do të luftojë ndaj sulmeve të Rusisë në Detin e Zi, në mënyrë që të mundë të importojë dhe eksportojë drithëra dhe mallra të tjera përmes ujërave të tij.
Deklaratat e tij, të publikuara në uebsajtin e presidencës ukrainase, vijnë pak ditë pasi dronët detarë ukrainas, të mbushur me eksplozivë, e dëmtuan një anije luftarake ruse, pranë një porti rus, dhe e goditën edhe një cisternë ruse të naftës.
“Nëse Rusia vazhdon ta mbizotërojë Detin e Zi, jashtë territorit të saj, duke bllokuar [mallrat dhe udhëtarët], apo duke shtënë ndaj nesh përsëri, duke goditur portet tona me raketa, Ukraina do ta bëjë të njëjtën. Kjo është një mbrojtje e drejtë e mundësive tona, e cilitdo korridor”, tha Zelensky.
Ai i bëri thirrje Rusisë të mos i sulmojë më portet ukrainase me dronë dhe raketa, si dhe ta lejojë zhvillimin e tregtisë në Detin e Zi. Ai i bëri këto komente gjatë një konference me gazetarë nga vendet e Amerikës Latine.
Nuk është e qartë se kur kishte ndodhur kjo konferencë në zyrën e tij në Kiev.
Tensionet brenda dhe përreth Detit të Zi janë përshkallëzuar që nga muaji i kaluar, kur Rusia u tërhoq nga një marrëveshje e cila mundësonte eksportin e sigurt të drithërave nga portet e Ukrainës. Rusia i ka goditur vazhdimisht me dronë dhe raketa portet dhe siloset e drithit ukrainase.
“Ne nuk kemi shumë anije. Por, ata duhet ta kuptojnë qartë se deri në fund të luftës, ata do t’i kenë zero anije, zero”, tha Zelensky.
Ukraina është përgjigjur më sulme me dronë nga deti ndaj një cisterne ruse të naftës dhe ndaj një luftë anijeje ruse në bazën e saj detare, Novorossiysk, pranë një porti të madh të drithit dhe naftës.
Rusia i bllokoi portet ukrainase në Detin e Zi në fillim të pushtimit të saj në shkurt 2022.
Kjo bllokadë po e ngufat Ukrainën ekonomikisht, pasi ekonomia e saj para luftës varej pothuajse plotësisht nga eksporti, me çelikun dhe drithërat më të eksportuarat.