Rusia nisi në valë të re sulmesh në Bahmut gjatë 24 orëve të fundit, tha ushtria ukrainase më 7 mars, ndërsa presidenti Volodymyr Zelensky u zotua ta forcojë mbrojtjen e qytetit të rrethuar në rajonin lindor të Donjeckut, duke thënë se ai dhe komandantët e tij ushtarakë kanë ranë dakord se tërheqja nuk është opsion.
Ukraina tha se ka zbrapsur qindra sulme ruse.
"Gjatë ditës së fundit, ushtarët ukrainas zmbrapsën më shumë se 140 sulme të armikut", tha Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës në raportin e tij të përditshëm.
Ky shtab tha se pavarësisht humbjeve të konsiderueshme, Rusia vazhdon të përpiqet të sulmojë Bahmutin dhe rrethinat e tij.
"Gjatë 24 orëve të fundit, armiku ka kryer 37 sulme pranë fshatit Dubovo-Vasylivka", tha Shtabi i Përgjithshëm, duke iu referuar një vendbanimi që shtrihet në verilindje të Bahmutit.
Zelensky tha në fjalimin e tij të natës më 6 mars se kishte diskutuar për Bahmutin me Valeriy Zaluzhniy, komandantin e përgjithshëm të forcave të armatosura dhe Oleksandr Syrskiy, komandantin e forcave tokësore të Ukrainës, ku "ata folën në favor të vazhdimit të operacionit mbrojtës dhe duke forcuar më tej pozicionet tona në Bahmut”.
Ekspertët perëndimorë thanë se situata në Bahmut – që për një kohë të gjatë po përballet me sulmet ruse – vazhdon të jetë kritike dhe se mbrojtësit ukrainas po përballen “me presion në rritje”.
Më 3 mars, Yevgeny Prigozhin, themelues i grupit të mercenarëve rusë, Wagner, përmes një videoje pretendoj se Bahmuti – që Moska ka tentuar të marrë nën kontroll gjatë shtatë muajve të fundit – është pothuajse i rrethuar dhe vetëm një rrugë për largim është ende e hapur.
Ministria e Mbrojtjes së Britanisë tha se mbrojtja ukrainase në Bahmut “është në presion të madh, teksa po zhvillohen luftime të ashpra në dhe përreth qytetit”.
Inteligjenca britanike, në raportimin e rregullt për luftën në Ukrainë, tha se forcat ruse dhe mercenarët e Wagner-it kanë bërë përparime në periferinë veri të qytetit dhe tani Bahmuti po sulmohet nga tri anë.
“Ukraina po e përforcon zonën me njësie elite dhe gjatë 36 orëve të fundit dy ura kyçe në Bahmut janë shkatërruar, përfshirë një urë që lidh qytetin me rrugën kryesore të furnizimit nga Bahmuti për në qytetin Çasiv Jar”, tha inteligjenca britanike.
Ekspertët perëndimorë kanë thënë se Bahmuti ka më pak rëndësi strategjike për Rusinë sesa rëndësi simbolike.