Çarshia e Vjetër e Shkupit në Maqedoninë e Veriut dita-ditës po humb edhe zejtarët e fundit, të cilët me shumë sakrifica kishin arritur t’i mbijetojnë zhvillimit të teknologjisë, krizës ekonomike, migrimit, por edhe mosinteresimit të shtetit për të ruajtur shumë zanate të trashëguara brez pas brezi.
Në mesin e tyre është edhe Riza Bajrami, një nga tre farkëtarët e fundit në Çarshinë e Vjetër.
Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se me këtë profesion ka nisur të merret që në moshën 17-vjeçare dhe përgjatë 40 vjetëve të ushtrimit të këtij profesioni, ka kaluar nëpër duart e tij disa tonelata hekur duke i shndërruar në sëpata, çekanë e vegla të tjera pune për nevojat e njerëzve, jo vetëm në Shkup, por edhe në qytete tjera të Maqedonisë së Veriut.
Me këtë profesion, Bajrami thotë se ka arritur të sigurojë ekzistencën për familjen e tij 5-anëtarëshe.
Por, tani gjërat kanë ndryshuar, thotë ai, pasi me punën që bën nuk arrin të mbajë as veten e tij, e të mos flasim për familjen, e cila kërkon burime të tjera për mbijetesë.
“Nga kjo punë më parë mund të mbijetonin deri në tri familje. Kishte shumë punë, kishte gjallëri në Çarshinë e Vjetër të Shkupit. Nuk kishte zejtar që nuk kishte punë. Tani, jemi në gjendje shumë të rëndë, asnjëherë më keq nuk kemi qenë. Punojnë sa për të thënë se po punojnë. Ndodh që brenda një muaji të punojnë vetëm një javë, por edhe më pak”, thotë Riza Bajrami, farkëtar.
“Koha ka bërë të veten dhe njerëzit gjithnjë e më pak kërkojnë shërbimet e tona, edhe pse veglat e gatshme që ata blejnë, nuk janë të cilësisë që ne ofrojmë”, shprehet ai.
Bajrami thotë se zanatet në Çarshinë e vjetër po zhduken edhe për shkak të mosinteresimit të të rinjve për të vazhduar traditat e prindërve të tyre.
“Nuk do të ketë kush ta trashëgojë këtë zanat. Djali im nuk do, por nuk ka as të tjerë të interesuar pasi shumica kanë ikur jashtë vendit. Këtu nuk ka perspektivë, nuk ka kushte për të mbijetuar”, thotë Bajrami.
Ai ankohet edhe për mungesën e ndihmës nga shteti dhe kjo e ka rënduar edhe më shumë gjendjen e zejtarëve.
“Kështu siç qëndrojnë punët edhe unë do të detyrohem ta mbyll këtë dyqan pasi nuk arrijmë t’i paguajmë as faturat e ujit dhe të energjisë elektrike”, shprehet Riza Bajrami.
Për gjendjen e rëndë të zejtarëve dhe mosinteresimin e shtetit për mbajtjen gjallë të Çarshisë së Shkupit, flet edhe Bujar Dullovi, kryetar i Shoqatës së Zejtarëve.
Ministria e Kulturës dhe ajo e Ekonomisë në bashkëpunim me komunën e Çairit ku ndodhet Çarshia, disa herë kanë ndërhyrë për rregullimin e kalldrëmit, vitrinave të dyqaneve dhe ndriçimit, por kjo për zejtarët është e pamjaftueshme.
Ata kërkojnë më shumë subvencione që zejtarët të mund t’i mbijetojnë shuarjes së zanateve të tyre.
“Subvencionet që jepen nga shteti janë shumë të vogla, janë simbolike, të pamjaftueshme për të mbijetuar një zejtar apo një dyqan që merret me këtë punë. Ne si esnafë, si shoqatë, jemi të degraduar, të anashkaluar nga të gjitha institucione. Askush fare nuk interesohet për neve që t’i ruajmë zanatet e vjetra që janë drejt shuarjes”, thotë Dullovi.
Ai thekson se numërohen në gishta zejtarët që ende po ushtrojnë veprimtarinë e tyre në këtë pjesë të Shkupit, e cila deri në vitet ‘90 ishte e njohur për numrin shumë të madh të zejtarëve që bizneset e tyre i kishin shtrirë përtej kufijve të Maqedonisë së atëhershme.
“Bakërpunuesi nuk ekziston më në Çarshinë e Vjetër, enët e bakrit nuk do të ketë më kush t’i punojë. Nuk ka më asnjë këpucëtar. Përpunues të qelqit gjithashtu nuk kemi, siç është afër zhdukjes edhe zanati i përpunimit të lëkurës. Në Çarshi na kanë mbetur vetëm se tre farkëtarë dhe njëri prej tyre është afër mbylljes së dyqanit. Kemi, gjithashtu, vetëm dy teneqepunues aq sa edhe zdrukthëtarë”, bën të ditur Dullovi.
Ai thotë së zejtarët tashmë kanë mbetur në mëshirën e Zotit dhe jetojnë me frikën se nuk do të jetë e largët dita kur do t’ua vënë drynin dyqaneve ku kanë kaluarën pjesën më të madhe të jetës së tyre.