Ndërlidhjet

Zbërthimi i krizës në Libi


Tymi pas përleshjeve në Tripoli, Libi, 27 gusht 2022
Tymi pas përleshjeve në Tripoli, Libi, 27 gusht 2022

Reuters

Luftimet më të ashpra në Libi, pas dy vjetësh, përfshinë më 27 gusht kryeqytetin Tripoli.

Çfarë çoi në dhunë, pse ka rëndësi dhe si mund të zhvillohen gjërat?

Si u shpërbë Libia?

Grupet lokale morën pozicione të ndryshme në kryengritjen e vitit 2011, që rrëzoi udhëheqësin veteran, Muammar Gaddafi.

Përpjekja për tranzicion demokratik doli jashtë kontrollit, pasi grupet e armatosura ndërtuan baza lokale të pushtetit dhe u grumbulluan rreth fraksioneve rivale politike.

Pas një beteje për Tripolin në vitin 2014, një fraksion, që përfshinte shumicën e anëtarëve të Parlamentit, u zhvendos në lindje, njohu Khalifa Haftarin si shef ushtarak dhe krijoi një qeveri paralele.

Një marrëveshje e mbështetur nga OKB-ja çoi në formimin e një qeverie të re në Tripoli, të njohur ndërkombëtarisht. Por, fraksionet lindore e hodhën poshtë marrëveshjen dhe Ushtria Kombëtare Libiane (LNA) e Haftarit sulmoi kryeqytetin në vitin 2019.

Fraksionet e armatosura që kontrollonin Libinë perëndimore, u bashkuan për të mbështetur Qeverinë e Tripolit kundër Haftarit. Me ndihmën e Turqisë, ata zmbrapsën sulmin e tij në vitin 2020. Kjo u pasua me një armëpushim dhe një proces të ri paqeje, të mbështetur nga OKB-ja.

Si shpërtheu dhuna e fundit?

Procesi i paqes solli Qeverinë e re të Unitetit Kombëtar, të udhëhequr nga kryeministri Abdulhamid al-Dbeibah. Mandat i tij ishte mbikëqyrja e zgjedhjeve kombëtare, të planifikuara për në dhjetor të vitit 2021. Por, procesi zgjedhor dështoi, pasi nuk pati marrëveshje për rregullat e votimit.

Në Libinë lindore, Parlamenti e shpalli të paligjshme Qeverinë e Dbeibahut dhe emëroi një të re, të udhëhequr nga Fathi Bashagha. Dbeibah i shpërfilli këto veprime, duke thënë se do të heqë dorë nga pushteti vetëm pas zgjedhjeve.

Ndërkohë, fraksionet në Libinë perëndimore, që ishin bashkuar kundër Haftarit, synonin sërish pozicione në Tripoli, duke sulmuar herë pas here.

Bashagha u përpoq të hynte në Tripoli menjëherë pasi u emërua në muajin mars, por fraksionet e Dbeibahut e bllokuan kolonën e tij. Ai u përpoq përsëri në maj, por u largua pas një shkëmbimi të shkurtër zjarri.

Me kalimin e muajve, aleancat dhe koalicionet u aktivizuan më shumë dhe, në rrugët e Tripolit, forcat e armatosura përplaseshin për territorin e njëra-tjetrës.

Kur luftimet midis dy grupeve shpërthyen të premten mbrëma, fraksionet e Bashaghës kryen disa sulme - me sa duket të koordinuara - në përpjekje për të instaluar pozitën e tij në kryeqytet. Megjithatë, përpjekja dështoi dhe Dbeibah mbeti në pozitën e tij.

Cilat janë gjasat për marrëveshje politike?

Fraksioni i fuqishëm lindor i Haftarit dhe kryetarit të Parlamentit, Aguila Saleh, ka shprehur pak gatishmëri për të bërë kompromise rreth qëllimit të tij për largimin e Dbeibahut dhe vendosjen e Bashaghës.

Por, pasi Bashagha duket se nuk është në gjendje të ndërtojë një koalicion të fraksioneve perëndimore - që mund ta vendosin atë në Tripoli - ata mund të mendojnë sërish.

Prania e vazhdueshme ushtarake e Turqisë rreth Tripolit - ku ajo mbajti bazat ajrore me dronë pas sulmit të vitit 2020 - do të thotë se një tjetër ofensivë e Haftarit kundër kryeqytetit, aktualisht duket shumë e pamundur.

Disa politikanë dolën me idenë e një përpjekjeje tjetër për të formuar një qeveri të re, të cilën do ta pranonin të gjitha palët, por Dbeibah ka të ngjarë ta bllokojë.

Diplomacia, ndërkohë, ka ngecur dhe marrëveshja se si të zhvillohen zgjedhjet duket më larg se kurrë.

Përpjekjet ndërkombëtare për të ndërmjetësuar marrëveshjen janë penguar nga mospajtimet midis vendeve të përfshira dhe midis fraksioneve lokale.

Shumë nga popullsia 7-milionëshe e Libisë druajnë se, sido që të zhvillohet periudha e ardhshme e negociatave, ajo do të pasohet me një shpërthim tjetër dhune.

Si ndikon situata në naftë?

Kontrolli i të ardhurave nga eksporti kryesor i Libisë - nafta - ka qenë prej kohësh kostoja më e madhe për të gjitha fraksionet kryesore, politike dhe ushtarake. Libia prodhon deri në 1.3 milion fuçi nafte në ditë.

Grupet kanë penguar vazhdimisht prodhimin, si taktikë për të ushtruar presion mbi Qeverinë në Tripoli.

Të gjitha të ardhurat e huaja nga shitjet e naftës kanalizohen në bankën qendrore, përmes marrëveshjeve ndërkombëtare.

Forcat e lidhura me Haftarin - ndikimi i të cilit shtrihet në pjesën më të madhe të territorit, ku ndodhen fushat kryesore të naftës dhe terminalet e eksportit - kanë qenë përgjegjëse për ndërprerjet më të mëdha të prodhimit në vitet e fundit.

Ndërprerja e fundit e prodhimit, e cila i reduktoi eksportet gati për gjysmë, përfundoi kur Dbeibah e zëvendësoi kreun e Korporatës Kombëtare të Naftës me një aleat të Haftarit. Ky veprim u pa nga disa si përpjekje për të tërhequr komandantin lindor dhe për ta bërë atë më të hapur ndaj marrëveshjes politike.

Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG